Prezenca e Shqipërisë në samitin e Parisit, procesi i Barcelonës, bashkimi për Mesdheun, i ka shërbyer kryeministrit Berisha për të lobuar me vendet pjesëmarrëse për ratifikimin e protokollit të aderimit të vendit në NATO, në ratifikimin e MSA-së mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, për vendet që nuk e kanë hedhur ende këtë hap.

I kthyer një ditë më parë nga Parisi ku mori pjesë dhe në paradën e organizuar nga presidenti Sarkozy, me rastin e festës kombëtare të Francës, Berisha ka folur me hollësi për të gjitha takimet e zhvilluara dhe pritjet ku ka marrë pjesë.

Sali Berisha: “Unë shfrytëzova samitin, para samitin, pritjen, darkën, drekën për tu takuar pothuajse   me të gjithë pjesëmarrësit me objektiva të qarta. Lobimi për ratifikimin e e protokollit të anëtarësimit në NATO për vendet anëtare të NATO-s. Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, për ata që s’kanë stabilizuar, liberalizimin e vizave dhe probleme të tjera.”

Kryeministri ka folur dhe për përfitimet që do të ketë Shqipëria pas institucionalizimit si vend anëtar, mes 42 të tillë në Unionin e Mesdheut. 

Sali Berisha: “Unioni ka krijuar dhe do të ketë fonde jo të pakta, por të mëdha për të gjitha tematikat që u përcaktuan. Shqipëria do të aplikojë dhe do të kontribuojë për këto projekte dhe në këto projekte.”

Berisha u ka kërkuar krerëve të shteteve pjesëmarrëse në samtit të njohin shtetin e ri kosovar. Ndërsa nuk kanë munguar sipas tij dhe diskutimet për projektet në fushën energjetike. Në veçanti për projektin ambicioz që ka Shqipëria për prodhimin e nukleare, projekt për të cilin Berisha ka pranuar se ka ridiskutuar dhe me homologun e tij italian Silvio Berliskoni./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka