Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sërish kryetarin e Partisë Socialiste se po kërkon të prishë atë që e cilësoi ëndrra evropiane e Shqipërisë.

Berisha tha se Rama zgjedh të protestojë në një kohë kur BE, i ka hapur rrugë proceseve që do të garantojnë për Shqipërinë statusin e vendit kandidat si dhe në një kohë të forcimit të sinjaleve për liberalizimin e vizave në gjysmën e parë të vitit 2010.

Kryeministri ripërsëriti se këto zhvillime për vendin vijnë për shkak të reformave dhe vlerësimit të standardeve që shënuan zgjedhjet e 28 Qershorit.

Sali Berisha: “Këto zgjedhje dua tu them unë ju, i kanë dhënë dinjitet të madh çdo shqiptari. Për afat të keq në vend që të festojmë bashkërisht këto vendime të mëdha për projektin ëndërr të çdo shqiptari, sot një grup në krye të PS-së, i drejtuar nga zoti Edi Rama ka zgjedhur rrugën e protestës e cila është një rrugë normale, por nuk mund të mos theksoj këtu se përpjekja për ti bllokuar këto procese me qëndrimin jashtë parlamenti, përpjekja për t’i dëshmuar Evropës se Shqipëria nuk meriton heqjen e vizave, se Shqipëria nuk meriton statusin e kandidatit, sepse unë jam në rrugë dhe jo në parlament. Është jashtëzakonisht e pandershme. Përgjigjen nuk ta dha Sali Berisha, përgjigjen e more nga qytetarët shqiptar që votuan me dinjitetin më të madh me 28 qershor, përgjigjen e more nga 27 vende anëtare të BE-së të cilat mbi bazën e vlerësimit të reformave dhe veçanërisht të zgjedhjeve të lira. Hapën dyert e Shqipërisë për integrimin në BE. Përgjigjen ta dhanë 27 vende të BE-së, të cilat mbi bazën e vlerësimit të përpjekjeve të ndershme serioze të shqiptarëve, vendosën të procedohet me shpejtësi për heqjen e vizave për shqiptarët.”

Kryeministri Berisha bëri këto deklarata gjatë ceremonisë së inaugurimit të ujësjellësit të fshatit Gjokaj në Vorë.

Bëhet fjalë për një investim  me vlerë 39 milionë lekë, shtuar këtu dhe ndërtimin e rrugës kryesore të këtij fshati, me gjatësi 3.5 kilometra dhe vlerë 40 milionë lekë.

Ndërtimi i ujësjellësit i jep përgjigje përfundimtare një problemi gati 20 vjeçar për banorët e kësaj zone.

Kryeministri përfitoi nga rasti të theksojë angazhimin e qeverisë që drejton për të tjera projekte që përmirësojnë cilësisht jetën në zonat rurale.

Sali Berisha: “Jeta e qytetarëve shqiptar bëhet evropiane atëherë kur ata të kenë rrugë të asfaltuara, të kenë ujë dhe kanalizime, të kenë shkolla dhe shërbim shëndetësor të njëjtë me qytetarët evropian, të marrin investime dhe të kenë punësim. Bëhet evropiane sigurisht kur ata të lëvizin të lirë në mbarë Evropën si qytetar të këtij kontinenti. Jam këtu gjithashtu për tu zotuar se qeveria do të financojë çdo projekt në këtë bashki në mënyre që të përfundojmë sa më shpejt urbanizimin e plotë e total të bashkisë së Vorës.”

Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se qeveria që drejton do të rrisë çdo vit pagat dhe pensionet për qytetarët shqiptar./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi