Kryeministri Sali Berisha, ka inspektuar në mesditë shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti në komunën e Gjoricës. Kreu i qeverise shprehu lehtësimin që tërmeti i fuqishëm nuk shkaktoi dëme në njerëz dhe premtoi ndihmën e vazhdueshme të qeverisë për rimëkëmbjen e ndërtesave të dëmtuara, duke dhënë ndihmë në sigurimin e rezervave ushqimore dhe strehimin e banoreve.
Sali Berisha: “As të plagosur, as të lënduar po ne shtëpinë e ndërtojmë. Do ta bëjmë shumë më të mirë, shumë më të fortë. Asnjë merak mos keni”.
Në mbledhjen e shtabit të emergjencave, Berisha kërkoi edhe reagimin e shpejte të pushtetit lokal për kapërcimin e kësaj situate.
Sali Berisha: “Familjet, të cilat banesat janë bërë të pabanueshme ose të rrezikshme për t’u banuar do t’i sistemoni kundrejt qerave. Në rast se gjeni shtëpi që kanë hapësirë dhe që ofrojnë, në rast kundërt do zgjidhni zonën më të mirë për të krijuar një kamp me çadra ku ne do tu ofrojmë të gjitha lehtësirat, ushtria do të ndihmojë dhe në ngritjen e këtyre kampeve dhe ndërhyrjet do të jenë energjike”.
Berisha i siguroi banoret se qeveria është e vendosur t’i ndihmojë të prekurit e këtij tërmeti që të rindërtojnë shtëpitë e tyre dhe se do t’i dëmshpërblejë ata. Por theksoi se kjo do të bëhet mbi bazën e një vlerësimi objektiv nga ana e ekspertëve./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle