Në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kryeministri Berisha vlerësoi procesin zgjedhor dhe tha se për shpalljen e fitores do të prese vendimin e KQZ-së si i vetmi institucion që do të certifikoje rezultatin. Duke shprehur edhe njëherë bindjen për fitoren e koalicionit të djathë kryeministri tha, se ky koalicioni qeverisës do të zgjerohet më tej në mandatin  e ardhshëm.

Sali Berisha: “Qytetari është i interesuar për qeverinë e re, normale bëhen një zgjedhje, zgjedhjet prodhojnë qeverinë e re, natyrisht koalicioni ynë thashë u certifikua, qeveria e re mund të krijohet sapo KQZ-ja të shpall rezultatin, por kjo nuk do të ndodhë sepse kemi një përcaktim kushtetues. Parlamenti mblidhet ditën që i skadon mandati parlamentit tjetër dhe se parlamenti tjetër, mandati skadon atë ditë që është mbledhur. Pra i bie data 3 ose 4 shtator. Në këtë kontekst unë kam ndërmend të vazhdoj me intensitet reformat gjeri ditën e krijimit të qeverisë së re, ndaj dhe unë ju ftoj ju zoti ministër, natyrisht koalicioni do zgjerohet. Por ju ftoj ju zoti ministra që të intensifikojmë të gjitha përpjekjet që edhe ndonjë gjë e cila mund të ketë pësu ndonjë shtytje, ndonjë shmangie për shkak të fushatës zgjedhore, të vendosen në agjendë dhe të funksionojë normalisht”.   

Duke komentuar ecurinë e zgjedhjeve të së dielës kryeministri falënderoi të gjithë votuesit shqiptare si edhe komisionarët për të cilët qeveria do të akordoje një shpërblim shtese.

Sali Berisha: “Dua të falënderoj me shumë mirënjohje të gjithë komisionerët, numëruesit e të gjitha forcave politike për bashkëpunim luajal që ata dëshmuan në përputhje me ligjin në këtë proces zgjedhor. Qeveria dhe kjo qeveri jo ajo tjetra që vjen, do të vendos për t’i shpërblyer këta. Sepse një shpërblim shtesë, pse! Sepse ky proces ishte kontribut. Në këtë proces ata kanë një kontribut madhor, janë anonim në kuptimin e protagonizmit, janë institucioni më i rëndësishëm i zgjedhjeve”.

Më pas mbledhja e qeverisë vijoi me disa marrëveshje kredie dhe projekt buxhetin afatmesëm.

Sali Berisha: “Ka miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2010-2012, ka miratimin e kuadrit makroekonomik të treguesve makroekonomik dhe fiskal për këtë periudhë”./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro