Kryeministri Sali Berisha ishte i ftuar special në ceremoninë e mbylljes së bursës ditore të New Yorkut, NASDAQ, në Time Square. Një ceremoni tradicionale dhe mjaft popullore në New York.
Ceremonia u shoqërua me shfaqjen e një dokumentari mbi Shqipërinë, i cili në kohë reale transmetoi në NASDAQ Touer dhe ngjalli kureshtjen e mjaft qytetarëve që ndodheshin në Time Square. Gjithashtu fjalimi i kryeministrit Berisha u transmetua live në televizionet prestigjioze me profil ekonomik si CMBC, Blumberg, Foxbussines.
Kryeministri Berisha falënderoi zëvendës presidentin NASDAQ për ceremoninë e organizuar, duke e cilësuar atë si inkurajim për investitorët shqiptar.
Sali Berisha: “Unë jam shumë i lumtur dhe i nderuar që jam sot këtu. Dua t’iu falënderoj për këtë ditë shqiptare në NASDAQ. Është një nder sot të jesh në bursë, e cila konsiderohet si bursa më transparente, me eficente dhe më e fuqishmja për kompani të cilat me performancën e tyre kanë ndryshuar më shumë se çdo gjë tjetër botën. Zoti zëvendës president, unë gjithashtu jam i lumtur që jam sot këtu, si përfaqësues i një vendi të vogël, por një vend ekonomia e të cilit ka pasur një performancë shumë të mirë. Këtë vit vendi im do të ketë rritjen më të lartë ekonomike në Europë dhe si ka ndodhur kjo? Kjo ka ndodhur pasi ne kemi ndarë të njëjtat principe që NASDAQ ka zbatuar prej themelimit të vet. Unë jam gjithashtu mirënjohës pasi prezenca ime këtu është një inkurajim i madh për sipërmarrësit shqiptar, të cilët po punojnë fort për tu afruar sa më shpejt me ditën kur Shqipëria të ketë NASDAQ-un e vet për kompanitë shqiptare.”
Kulla panoramike e NASDAQ është ekrani më i gjerë i botës. Në të transmetohen në kohë reale rezultatet e bursës amerikane si dhe përshëndetjet e liderëve botëror, apo personaliteteve të shkencës, artit, botës e financave.
Përshëndetjen e kryeministrit Berisha e përcollën live dhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan që kishin mbërritur aty posaçërisht për këtë moment.
Axhenda e ngjeshur me takime e kryeministrit Berisha në SHBA, përfshinte dhe pjesëmarrjen në samitin Global Creative Lidership, organizuar nga fondacioni i Louis Blu, partneritetin e organizatës së OKB-ve dhe Financial Times.
Ky fondacion e bazon veprimtarinë e tij në inkurajimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën kulturore, si dhe në promovimin e ideve për një njohje më të mirë të vendeve.
Ky është një samit i përvitshëm, në të cilin marrin pjesë për të diskutuar përballë një paneli akademikësh dhe studiuesish, kryetar shtetesh e qeverish nga e gjithë bota.
Kryeministri Berisha ishte në këtë edicion relatori kryesor në panelin mbi edukimin arsimor. Berisha njohu presidencën e këtij fondacioni Lousi Blu, më përpjekjet e qeverisë shqiptare për përhapjen e teknologjisë së informacionit.
Kryeministri vlerësoi të suksesshme disa reforma të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Ato që kanë të bëjnë me prokurimet elektronike, regjistrimin elektronik të shtetasve, qendrën e regjistrimit të biznesit etj.
Kryeministri i kushtoi rëndësi dhe projektit ambicioz të qeverisë, futjes së internetit në çdo shtëpi. Ne takim u diskutua edhe mbi bashkëpunimin me fondacionin Louis Blu, në fushën e turizmit dhe kulturës. Kryeministri Berisha dhe zonja Blu ranë dakord që ky fonacion të angazhohet në promovimin e potencialeve të mëdha që disponon vendi ynë në këtë drejtim./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi