Enciklopedia maqedonase është diskutuar edhe mes kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit të Maqedonisë, George Ivanov, në një takim të zhvilluar mes tyre në Nju Jork. Kreu i qeverise shqiptare theksoi se publikimi i kësaj enciklopedie është një qëndrim absurd dhe i papranueshëm. Ai kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve të larta të Shkupit për faktin se askush nuk mund të ndërtojë identitet kombëtar bazuar mbi falsifikimin e historisë.
Kreu maqedonas i shtetit i garantoi Berishës se sapo të kthehej në Shkup do të përpiqej të ndikonte në këtë çështje. Në takimin mes tyre, kryeministri Berisha dhe presidenti Ivanov rikonfirmuan edhe njëherë marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve. Kryeministri e njohu Presidentin me vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të kompletuar lidhjen hekurudhore me Maqedoninë dhe i bëri me dije se rruga e Arbrit, që po ndërtohet nga qeveria shqiptare, shkurton distancën me Shkupin rreth 100 kilometra.
Gjatë vizitës në SHBA, Kryeministri Berisha u takua edhe me Kryeministrin e Australisë, Kevin Rudd. Në këtë takim u diskutua për fuqizimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike. Kryeministri i australian tregoi interes për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare duke i cilësuar si mbresëlënëse, për shkak se në kohë krize botërore i garantuan Shqipërisë një rritje të mirë ekonomike.
Berisha tha, se vendi ynë mirëpret investitorët australianë duke u ofruar mjedisin e duhur për biznes. Kosova ishte një tjetër çështje e këtij takimi. Kryeministri Rudd u tregua i gatshëm që përmes lidhjeve dhe kontakteve të ndihmojë në njohjen e pavarësisë së saj. Kjo çështje ishte edhe në fokusin e takimit qe kreu i ekzekutivit pati me presidentin e Libanit Michael Sulajman. Ky i fundit garantoi se kjo çështje është në vëmendjen e qeverisë dhe shtetit të Libanit. Ndër të tjera Sulajman vlerësoi si mjaft pozitiv zhvillimin e Shqipërisë, si dhe tolerancën fetare të admirueshme të vendit tonë./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle