Lajme Arkiva 2003
Kryeministri Fatos Nano ka nisur sot disa takime në prefekturën e Lezhës. Takimin e parë ai e ka zhvilluar në qytetin e Laçit ku orët e paradites është takuar me kryetarin e bashkisë së këtij qyteti Bardh Rica dhe ka përuruar fillimin punimeve të përroit të Laçit, i cili vazhdimisht gjatë reshjeve të shumta përmbystë këtë qytet.
Pasi i ka uruar mirëseardhjen kryeministrit Nano, bashkiaku Rica ka theksuar në fjalën tij nevojën që ka për investime ky rreth të cilat deri më tani i kanë munguar. Nano në fjalën e tij u shreh se vetë përurimi i punimeve që do të kryen në përroin e Laçit dhe të investimeve të tjera që do të kryen në këtë rreth, janë prioritare dhe tregojnë se qeveria është angazhuar për të integruar këtë komunitet në rrjedhën e një jete normale, për të përballuar sa më mirë jetesën.
Sipas Nanos Bashkisë së Laçit në programin e investimeve për vitin 2003 i është akorduar nga fondet e Ministrisë Së Rregullim Territorit një fond prej 20 milionë lekësh.
Fatos Nano: Kjo punë që po përuroj sot është një hap shumë i rëndësishëm për t’ju larguar emergjencave dhe për të stabilizuar përfundimisht situatën dhe këtu në Laç. Në tetor të këtij viti do të përfundoj ndërtimi i nënstacionit elektrik të Mamurrasit që ka kushtuar afërsisht 1 milionë Dollarë. 1 milionë dollarë të tjera janë në dispozicion dhe do të përdoren për përmirësimin e rrjetit elektrik dhe ndërtimin e dy nënstacioneve të tjera, një në Laç e tjetri në Fushë Kuqe.
Kryeministri Nano i ka bërë thirrje opozitës nga qyteti i Laçit që të bashkëpunoj për të mirën e këtij komuniteti. Më pas Nano së bashku me kryebashkiakun Rica, kanë prerë shiritin e inaugurimit të punimeve, të përroit të Laçit.
Nga Laçi Nano i është drejtuar Lezhës ku ka dhe punime në segmentin rrugor Lezhë-Balldren me gjatësi 6.2 kilometër. Fondet për ndërtimin e kësaj rrugë janë marrë nga fondi i buxhetit të shtetit dhe ky segment rrugor është pjesë e korridorit veri-jug.
Punimet kanë filluar më 18 qershor të vitit 2001 dhe kanë përfunduar përpara pak ditësh. Vlera e ndërtimit të kësaj rruge kap vlerën e 663 milionë Lekëve.
Fatos Nano: Ky segment rruge edhe pse i shkurtër siç e thashë është pjesë e rrugës sonë të integrimit në strukturat euro-atlantike. Në anën tjetër këto përurime janë edhe prova më e mirë që qeveria ka interesa të drejtpërdrejta për të përmirësuar zhvillimin, jetën, lëvizjen, pra për të krijuar kushte mirëqenieje punësimi dhe sipërmarrjeje në të katër anët e vendit./tvklan.al