Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzon Serbinë se me ndihmën e Rusisë po përhap informacione të pavërteta për të dëmtuar Kosovën në politikën e jashtme, kryesisht në procesin e integrimit.
Ndaj në konferencën e shtatë të ambasadorëve, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kurti u kërkoi ambasadorëve të Kosovës nëpër botë që të jenë aktivë në luftimin e propagandës serbe.
“Jemi në epokën e rrjeteve sociale dhe të komunikimit të menjëhershëm e të pandërprerë, andaj komunikimi është më i rëndësishëm se kurrë. Duhet të jeni gjithnjë e më aktiv dhe përherë të pranishëm. Heshtja mund të keqkuptohet, dhe për më keq i lë hapësirë propagandës edhe dezinformatës”, tha Kurti.
Në këtë betejë, theksoi Kurti, shpejtësia e reagimit dhe profesionalizmi janë armët kyçe për të zhbërë të pavërtetat që përhap sipas tij Serbia.
“Çdo ngjarje, çdo reformë dhe çdo hap përpara që bëjmë duhet të bëhet i njohur menjëherë, sepse nuk mund të presim që e vërteta të dalë vetvetiu, spontanisht. Ju duhet të kujdeseni që ajo të dëgjohet dhe të mbërrijë aty ku duhet”, u shpreh Kurti.
Duke iu adresuar ambasadorëve të pranishëm, Kurti theksoi gjithashtu rëndësinë e diplomacisë aktive dhe angazhimit të vazhdueshëm me qytetarët e vendeve mikpritëse.
Tv Klan