Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Për herë të parë bashkëshortja e kryeministrit Fatos Nano, Xhoana Nano, bëhet pjesëmarrëse e takimeve me elektoratin socialist në Kukës. Vetë kryetari i PS e konsideroi rrugën e saj drejt veriut, si një lyerje të borxhit që kryeministri Nano u ka kuksianëve.
Fatos Nano:- “Vij sot me shumë qejf tek ju, siç e shihni kam marrë dhe bashkëshorten, kam ardhur familjarisht. Me këtë gjest njerëzor dua t’ju shpreh jo vetëm angazhimin tim, si kryetar i partisë dhe kryetar i qeverisë, por dhe si njeri për të vazhduar të jetojmë bashkë, të punojmë bashkë dhe të fitojmë bashkë. Unë e njoh prej vitesh tashmë mikpritjen tuaj fisnike. E di që jam borxhli, gjeta këtë mënyrë më ua shpërblyer, me ardhë bashkë me familjen”.
Në Pallatin e Kulturës, kryeministri Nano ka kërkuar mbështetjen për kandidaturën e Osman Elezit, për bashkinë e Kukësit. Duke e quajtur qytetin verior prioritet të programeve të zhvillimit dhe integruese, kryeministri Nano vuri ne dukje ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Prishtinë dhe aeroportit të ri në Kukës, prej nga të gjithë shqiptarët do të shkojnë drejt Europës.
Fatos Nano:- “Nuk ka rrugë tjetër për të shkuar në Europë për gjithë shqiptarët veçse nga Kukësi i ri”.
Duke analizuar menaxhimin e deritanishëm të Kukësit nga kryebashkiaku Ylber Zeneli, i cili kandidon sërish nga PD, për zgjedhjet lokale 2003, kreu u mazhorancës tha, se nëse Kukësi nuk është zhvilluar, ky është rezultati i keqadministrimit prej kundërshtarëve tanë.
Fatos Nano:- “Nuk i them këto për të likuiduar kundërshtarët politikë me dhunën e shtetit, ne nuk jemi xheloz për ta, nuk jemi as të qetësuar, që ata mburren vetëm me harta blu nëpër tavolina kioskash partiake. Ne nuk na shqetësojnë a fitojnë, a s’fitojnë në këtë apo në atë zonë, problemi është me i çliru zonat nga kthetrat e mjerimit ku ata po i mbajnë”./tvklan.al
Gazetare – Arta Tozaj