Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Analiza vjetore e kontrollit të kryeministrit Fatos Nano është vendosur këtë herë në Ministrinë e Financave. Në mbledhjen e nisur disa orë me vonesë, kryeministri u ndal në emërimet e fundit, si vazhdimësi e reformave, duke kërkuar në këtë rast edhe bashkëpunimin e opozitës.

Kryeministri Fatos Nano:- “Po detyrohem t’i përgjigjem nga shtëpia juaj, sepse në gjirin tuaj do të punojë dhe drejtori i ri i doganave, shokut tim të burgut Sali Berisha, që meqenëse bashkë me mua futi dhe ca nga tregtarët që filluan të pasurohen në atë kohë, le t’i japi publikut se sa u mori këtyre tregtarëve për t’i nxjerrë dhe për t’i futur brenda dhe mos të kërkojë kontrabandën që nuk ekziston në asnjë nga rekordet e dëshmive legale apo penale të shtetasve, sepse në Shqipëri ka pasur dje në drejtësi dhe gjëra të pandëshkuara dhe po ti kishim ato databaset e të gjitha deformimeve dhe ndëshkimeve, ka rrezik, ai që shan më shumë reformën apo administrimin publik të qeverisë së sotme, do ta kishte dosjen më të zezë”.

Pas një rezymeje të shkurtër të zhvillimit ekonomik të vendit, kryeministri Nano konfirmoi vëmendjen e tij në institucionin e Financës, si hallka kyçe e ekzekutivit, duke kërkuar në këtë rast edhe përgjegjësitë, si tek administrata tatimore edhe tek ajo tatimore.

Kryeministri Fatos Nano:- “Unë i njoh arritjet dhe problemet tuaja, jo sepse ministri duke mos qenë profesionist i diplomuar, i financave, ka merituar më shumë vëmendje nga kryeministri, por sepse ministri dhe ju, përveç rolit që keni për zbatimin e programit dhe për krijimin e garancive organike instrumentale, për të siguruar jo vetëm stabilitet makroekonomik, por edhe qëndrueshmëri të rritjes”.

Përsa i përket luftës kundër krimit ekonomik dhe trafiqeve, ai kërkoi një vëmendje dhe kontroll më të madh tek të gjitha sipërmarrjet. Kryeministri tha, se pas goditjes së trafiqeve të qenieve njerëzore, këto trafiqe janë zhvendosur tashmë tek droga dhe qarkullimi i parave të pista./tvklan.al