Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryeministri Nano ka nisur sot, një ditë përpara mbledhjes së kryesisë dhe grupit parlamentar të PS, konsultimet për zëvendësimet e detyruara në kabinetin qeverisës, pas dorëheqjes së Ilir Metës dhe Sokol Nakos. Këto konsultime nuk kanë qenë të lehta për faktin se veç aftësive profesionale, kandidatët duhet të kënaqin dhe sensibilitetet e ndryshme në grupet parlamentare të PS, i cili do të shprehet nesër nëse do t’i jepet votëbesimi ministrave të rinj.

Bisedimet dhe negociatat janë zhvilluar në zyrën e kryeministrit, ku siç bëhet e ditur, refuzimi i parë ka ardhur nga Ministri aktual i Mbrojtjes Pandeli Majko, i cili nuk ka pranuar të zërë postin e lënë vakant nga Ilir Meta. Edhe emri i Namik Dokles i cili kohë më parë dha dorëheqjen nga kryetari i Kuvendit, ka qenë në tryezën e Nanos, fillimisht si opsion për të zëvendësuar Majkon në Ministrinë e Mbrojtjes, nëse ky i fundit do të pranonte ofertën e Nanos.

Dokle ka pasur një takim të gjatë me kryeministrin në zyrën e tij, por ende nuk konfirmohet nëse ai do të pranojë të jetë pjesë e kabinetit Nano. Ermelinda Meksi, e cila gjithashtu është takuar sot me kryeministrin, ka pranuar postin e Ministrit të Integrimit të lënë vakant nga Sokol Nako. Por deri më tani asgjë nuk është përcaktuar qartë, ndërkohë që kryeministrit Nano, i duhet të mbyll sot të gjitha negociatat, me qëllim që nesër të shkojë në kryesi dhe në grup, me një projekt definitiv, i cili të mos hasë kundërshtime./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka