Edhe në takimin me gazetarët në rrethin e Fierit, Edi Rama u është përgjigjur në të njëjtën mënyrë, siç bën prej 7 muajsh pyetjeve të gazetarëve të Tv Klan.
Edi Rama: “Të fala Sandrit!”
Por në këtë qytet ky reagim i Ramës ka sjellë qëndrimin e gazetarëve të tjerë të ftuar në panel. Sipas formulës së prezantimit publik të kryeministrit, të cilët janë solidarizuar me kolegun e tyre të Tv Klan. Kryetari i Unionit të Gazetarëve të Fierit i ka kërkuar Ramës të respektojë mediat që ai vetë ka ftuar dhe t’u japë përgjigje pyetjeve që ju drejtohen.
Vladimir Muçaj: “Tani unë këtu do të ndërhyja pak të lutem, avash-avash, avash se s’kemi ardhur për të bërë rrembi këtu ne. Kjo ideja, unë jam gazetar i vjetër por e njoh edhe pak politikën. Në qoftë se i dërgon të fala Sandrit unë t’i dërgoj të fala atij pronarit tim? Kjo nuk është normale mendoj unë, më fal që ndërhyra”.
Edi Rama: “Tani, më fal”.
Vladimir Muçaj: “I ke mbyllur lopët ti andej që fole?”
Edi Rama: “O zotëri më fal, ju lutem, o ju lutem tani. Tani për çfarë e provokon bisedën? Ke ndonjë pyetje?”
Vladimir Muçaj: “Po tani pyetja kjo ishte”.
Edi Rama: “Të lutem shumë”.
Vladimir Muçaj: “Çfarë s’të vjen mirë?
Edi Rama: “Jo, jo nuk ka problem fare”.
Vladimir Muçaj: “Nuk të vjen mirë? Nuk është normale, nuk është normale”.
Edi Rama: “Thjesht pyetjen kisha”.
Vladimir Muçaj: “Unë jam gazetar dhe mbroj pyetjet e gazetarit dhe gazetarin dhe panelin e gazetarëve”.
Edi Rama: “Dhe unë po ju përgjigjem shumë thjeshtë”.
Vladimir Muçaj: “Po unë nuk punoj të Klani, nuk bëj avokatin e Sandrit”.
Edi Rama: Po atëherë?
Vladimir Muçaj: “Nuk më duket normale”.
Edi Rama: “Dhe unë, më fal, ju lutem oo, më falni dhe unë po ju përgjigjem shumë thjeshtë që unë i përgjigjem të gjitha pyetjeve, por askush nuk dikton përgjigjen time, është e thjeshtë”.
Kjo ka qenë dhe pjesa më e veçantë e këtij takimi, pasi për sa i përket qëllimit të turit të ri Rama përsëriti të njëjtat gjëra si në takimet e Tiranës dhe Durrësit./tvklan.al
Gazetar: Kristaq Thano