Lajme Arkiva 2003

Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano u kërkoi votat kavajasve për kandidatin e Partisë Socialiste Ismail Bizhuka. Nuk e kam Kavajën si apandesit të Tiranës. Ka 25 vjet që vij këtu deklaroi kryeministri ndërsa Berisha kalon vetëm për t’ju marrë votat.

Fatos Nano: Unë dua sot në mënyrë të veçantë t’ju bëj thirrje rinisë së Kavajës që duke vazhduar të ruaj traditën e shkëlqyer demokratike të prindërve, të votojë për rilindjen që meriton ky qytet dhe që ju garantojë vetëm socialistët dhe progresistët që kanë miq demokrat në të gjithë Shqipërinë mund ta garantojnë dhe realizojnë. Mos rrini peng të një bese politike që ata që zgjidhni ua shkelni me këmbë prej 12 vjetësh.

Fatos Nano premtoi 5 milionë dollarë investime në ujësjellës, kanalizime, arsim, shëndetësi dhe energji elektrike duke u lënë kavajasve zgjedhjen për të votuar në 12 tetor.

Në Vorë kryeministri Fatos Nano u besoi qytetarëve socialist, sihariqin se Shkodra dhe Kavaja do të votonin për Partinë Socialiste. Berisha është pa alternativa, pa aleatë dhe madje edhe njerëzit e fisit të tij e kanë braktisur u shpreh kreu i mazhorancës.

Fatos Nano: Ata nuk e vënë veten me faj që pronën publike e shpërndanë si prikë për militantët e vetë dhe prandaj kanë mbetur pa asnjë krushk sot.

Në Vorë Partia Socialiste kërkon rikonfirmimin e mandatit për kreun aktual të Bashkisë Shefki Karamuça.

Fatos Nano: Unë respektoj babën e të gjithëve Myslym Pezën dhe ju them votoni për Enverin.

Në këmbët e Babë Myslymit kryeministri Nano u kërkoi Pezakëve votat për Enver Dorzin nga Partia Socialiste. Në Pezë shefi i qeverisë dha sihariqin siç e quajti ai për projektin e miratuar nga qeveria për superstradën Tiranë- Rrogozhinë- Thumanë- Shkodër me një vlerë 100 milionë Dollarë.

Kryeministri Fatos Nano kreu një vizitë në serat e Fushë Krutjes duke përcjellë mesazhin se qeveria po punon për futjen e teknologjisë së përparuar në bujqësi si dhe për eliminimin e akcizës së karburanteve dhe makinerive ë përdorura nga fermerët vendas./tvklan.al