Dje në mëngjes punonjësit e stacionit të antenave në malin e Dajtit patën një vizitë surprizë nga një vizitor tejet i veçantë, nga kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhej në rezidencën qeveritare në malin e Dajtit për të kaluar atje ditën e fundit të stinës së verës.
Kreu i qeverisë është ngjitur në këmbë nga zona e ish-kampit të punëtorëve deri në majën e malit të Dajtit, një distancë e përshkuar për afro 53 minuta.
Kryeministri Berisha pasi qëndroi për disa çaste në majën e malit të Dajtit u pikas nga rojet, punonjësit dhe inxhinierët e stacionit të antenave, të cilët iu bashkëngjitën atij dhe e ftuan atë për një kafe në vendin e tyre të punës.
Gjatë bisedës inxhinieri Ilir Memaj i kujtoi kryeministrit se kreu i qeverisë kishte qenë për t’i vizituar ata edhe 12 vjet më parë dhe se për ta ishte një surprizë shumë e këndshme që ai po i takonte sërish në majën e malit të Dajtit. Kryeministri Berisha u është përgjigjur me humor se majat ishin magneti i tij.
Sali Berisha: “Majat janë magneti im. Majat janë magnet. Natyrisht këtë iniciativë e mora pa i thënë njeriu sepse çdo njeri do më thoshte mos e bëj, mos u ngjit, por unë nuk mund ta lija pa u ngjit, por ky ishte testi më i shkëlqyer i energjive që mblodha gjatë verës”./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle