Lajme Arkiva 2004

Një plan masash të forta sigurie ka paraprirë dhe shoqëruar protestën e sotme të opozitës. Mbi 2000 efektiva  blu kanë patrulluar në  pika të ndryshme të Tiranës gjatë natës dhe orët e para të ditës.

Mjekët që kanë hyrë në kryeqytet i janë nënshtruar kontrolleve të  forta për armëmbajtje dhe për lëvizje të mundshme të personave që konsiderohen kontigjenë trazirash. Kontrolle ka patur edhe në stacionin  e trenit.

Policia rrugore ka ndaluar trafikun në shesh dhe në bulevard ndërkohë që parkimi i mjeteve në këtë pjesë të Tiranës ishte bllokuar që në mbrëmjen e së premtes.

Urdhri i policisë  rrugore për të  mos lejuar qëndrimin e mjeteve në shesh dhe në bulevard ka shkaktuar  probleme me regjitë e lëvizshme televizive.

Fillimisht forcat e rendit kanë ndaluar qëndrimin e studiove fugon duke shkaktuar kështu probleme dhe me transmetime direkte. Pas këmbënguljes së stafeve televizive për të realizuar transmetim direkt është arritur marrëveshja që studiot të qëndrojnë në shesh dhe në bulevard.

Rreth mesditë blutë kanë blinduar kryeministrinë. Një kordon i fortë i forcave të rendit ka qëndruar në rrethimin e jashtëm të kësaj godine, ndërsa në prapavijë forca të ndërhyrjes së shpejtë qëndronin në gatishmëri në mbrojtje të godinës qeveritare.

Forcat policore në vijën e parë janë udhëzuar të ruajnë qetësinë, të mos reagojnë ndaj thirrjeve dhe provokimeve të qytetarëve.

Mes efektivesh ndodhen edhe mjaft oficerë të nivelit të lartë të cilët kanë dhënë në mënyrë të vazhdueshme udhëzime taktike. Me masa sigurie është rrethuar edhe presidenca si dhe  vila 30.

Ndërkohë drejtues të protestës kanë kërkuar nga turma të qëndrojnë larg trotuareve të godinës, për të siguruar gjithashtu një protestë pa incidente.

Gjithçka ka kaluar e qetë dhe pa probleme, ndërsa 287 efektivët  e Policisë  së Tiranës, së bashku me forca të ndërhyrjes së shpejtë dhe të repartit të briskut kanë qëndruar në gatishmëri për të siguruar godinat qeveritare dhe rendin publik në Tiranë./tvklan.al