Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në turin e saj “Gratë për gratë” është takuar në kalanë e Beratit me 4 mijë banore të këtij qyteti. Duke iu drejtuar grave të Beratit, Topalli ka thënë, se një brez i ri nuk mund të lindë nga nëna të skllavëruar dhe se femrat shqiptare e kanë shpirtin më të lirë në botë.

Duke vlerësuar rolin e gruas në shoqëri, kryetarja e Kuvendit ka theksuar se qeveria i ka vlerësuar ato duke rritur pagesat në sektorin e shëndetësisë dhe të arsimit ku ato dominojnë.

Jozefina Topalli: “Është gjëja më e rëndësishme kur dëgjoj se admirojnë reformat e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo është meritë e shqiptarëve, kjo është meritë e familjeve tona, kjo është meritë e zonjave. Të gjitha arsimtaret në të gjithë Shqipërinë  kanë një rritje rroge prej 75 dhe unë jam e sigurt se vitin e ardhshëm arsimtaret do kenë dyfishim të rrogave. Mua më vjen shumë mirë që rroga e infermiereve gati është dyfishuar. Unë e di që jo duhet rritur akoma më shumë, por të paktën është dyfishuar.”

Kryetarja e Kuvendit duke u fokusuar tek familja dhe mirërritja e saj, ka nënvuzuar se ato duhet të kujdesen dhe për shëndetin e tyre duke luftuar kancerin e gjirit. Pasi sipas saj vetëm në një familje të tillë mund të rriten fëmijë të shëndoshë.

Topalli duke iu drejtuar grave i ka ftuar ato që të afrohen në politikë dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes. Pasi sipas saj vendi po ndryshon dhe ndodhet shumë pranë anëtarësimit në BE dhe NATO.

Gjatë vizitës së saj në Berat, kryetarja e Kuvendit është ndaluar dhe në shkollën jopublike “Irfan Gjeçari”, si dhe në fasonerinë e drejtuar nga Agron Milaj./tvklan.al