Gazetare: “Zonja Rama në një nga analizat vjetore të punës së prokurorisë së Përgjithshme ka rezultuar që 85% e çështjeve tuaja janë rrëzuar nga gjykata e Apelit. Për ta thënë më troç kemi prokuror të paaftë apo kemi gjyqtar të korruptuar?”
Ina Rama: “Kjo nuk është një shifër e saktë, e keni marrë gabim.”
Pavarësisht faktit nëse shifra jonë e marrë nga një burim konfidencial pranë prokurorisë së Apelit mund të mos jetë e saktë përqindja e lartë e çështjeve që hidhen poshtë në gjykatën e Apelit është mëse e denjë për tu komentuar apo për tu marrë një përgjigje zyrtare nga ana e prokurores së përgjithshme.
Duke mos dashur të komentojë punën e vartësve të saj në shkallë të ndryshme të gjyqësorit vetë kryeprokurorja ka pranuar se në të shumtën e rasteve prokurorët janë të paaftë apo neglizhentë dhe për këtë ajo vetë i referohet statistikave të dala nga analizat vjetore.
Ina Rama: “Në pak prokurori një vendim pafajësi e gjykatës shoqërohej me një analizë të detajuar të çështjes nga prokurorët nga oficerët që kanë vrojtimet.”
Por jo aq larg vëmendjes së kryeprokurores kanë mbetur vendimet shpesh herë të kondicionuara nga prokurorë të përveçëm.
Ina Rama: “Unë ju tërheq vëmendjen në mënyrë të veçantë që ju të bëni shumë kujdes kur aplikoni për arrestet në burg. Një person pa drejtësisht, kemi hetuar, kemi konsumuar energji, kemi konsumuar para, kemi shkelur të drejtat e individit, kemi prishur imazhin e një institucioni publik dhe në konkluzion kemi prodhuar dhe një faturë financiare për shtetin.”
Ina Rama tha se në 2008 janë regjistruar 2030 procedime më shumë se në vitin 2007. Por meritë për këtë ka policia dhe komuniteti. Ajo që mbetet vërtetë për tu analizuar është eficenca e punës së prokurorëve në hetimin e çështjeve dhe kësaj radhe konstatimet bëhen nga vetë kryeprokurorja.
Ina Rama: “Pak herë konstatohen hetime pro aktive në lidhje me krimin ekonomik, me korrupsionin, por përgjithësisht edhe me kategori të tjera të veprave penale. Prokurorët kanë një lloj pasiviteti në drejtim të këtyre veprave, gjithmonë presin të marrin materiale, ti referohen materiale nga shërbimet e policisë, ti referohen materiale nga qytetarët, nga shtetasit, nga institucionet. Në të vërtetë roli i prokurorit nuk është vetëm ky, nuk është vetëm pritës, prokurori jo vetëm ka të drejtë por e ka detyrim ligjor të nisë procedime penale kryesisht.”/tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani