Prokuroria e Përgjithshme pranon publikisht dështimin për një tjetër çështje hetimore të ngritur me bujë prej saj, atë ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Vetë kryeprokurorja Ina Rama, e cila e nisi me shumë zhurmë hetimin ndaj ish-ministrit, duke lexuar akuzat ndaj tij në një konferencë për shtyp, tha sot se pranon vendimin e Gjykatës së Lartë, që një ditë më parë e mbylli përfundimisht këtë çështje.
Ina Rama: “Është një qëndrim i gjykatës, është një interpretim të normave kushtetuese dhe procedurale që ka bërë gjykata lart. Ne i kemi mbajt një qëndrim të ndryshëm në seancë gjyqësore, kemi dhënë dhe argumentat. Po në fund të fundit është gjykata ajo që vendos”.
Vetëm pak minuta pas vendimit të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, avokati ligjor i Fatmir Mediut, deklaroi se prokuroria është treguar e paaftë për një përballje gjyqësore. Ish-ministri Mediu u hetua nën akuzën për shpërdorim detyre pas shpërthimin në Gërdec, menjëherë pasi ai hoqi dore nga imuniteti i deputetit, për t’u vënë në dispozicion të drejtësisë./tvklan.al
Gazetarja: Anduena Llabani