Gjatë turit të tij elektoral kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është takuar me tregtarë në pazarin e Korçës.

Sipas Ramës fuqia blerëse në këtë pazar është në nivele shumë të ulëta për shkak të ekonomisë së dobët. Rama pa nga afër edhe listat e borxheve që qytetarët u kanë tregtarëve.

Edi Rama: “Në 28 Qershor duhet të shkoni të gjithë në votim.”

“Do vemë të tërë në votim mos ki merak.”

Edi Rama: “Se duhet të votoni për veten tuaj, duhet të votoni për familjen, për Korçën dhe për të gjithë Shqipërinë, por në Korçë do bëjmë transformime rrënjësore.”

Më pas Rama është ndalur tek një shkollë e rrënuar jo shumë larg qytetit të Korçës.

Ai u ka premtuar nxënësve të shkollës në fshatin Trestenik se me ardhjen në pushtet të së majtës do të zhdukë një herë e përgjithmonë analfabetizmin që ka mbërthyer vendin.

Edi Rama: “Ne jemi këtu së bashku me deputetët që do t’ju përfaqësojnë ju në parlament pas 28 Qershorit për të marrë një angazhim solemn, për ta transformuar rrënjësisht sistemin tonë arsimor dhe për të transformuar rrënjësisht kushtet dhe mundësitë e fëmijëve të këtij vendi, të cilët duhet të kenë liri dhe të drejta të barabarta në radhë të parë për shkollim, pavarësisht nëse janë fëmijë të lindur apo të rritur në mes të Korçës, në mes të Tiranës, në mes të Shkodrës apo në provinca e në fshatra të largët”.

Koka: Rama: Askush të mos cenojë votën e 28 Qershorit

Nga ndalesa në Korçë kryesocialisti Edi Rama zhvilloi një takim elektoral në qytetin e Gjirokastrës.

Duke ritheksuar dhe një herë qëndrimin e Partisë Socialiste për paprekshmërinë e votës Rama i bëri apel strukturave të policisë të mos cenojnë sipas tij, votën e shqiptarëve më 28 Qershor.

Edi Rama: “Asnjë shqiptar i veshur me uniformën e policisë nuk duhet të ngatërrojë ngjyrën e uniformës së shtetit me ngjyrën e flamurit të pushtetit dhe duhet të qëndrojë larg votave të popullit shqiptar në 28 Qershor, sepse ndryshe do të ndëshkohet dhe nuk do të kemi paqe derisa ta vëmë përpara ligjit.”

Kreu i  selisë rozë nuk është ndalur vetëm tek uniformat blu, por edhe tek administrata shtetërore, e cila sipas Ramës po keqpërdoret për arsye elektorale.

Edi Rama: “Dua t’i them Sali Berishës se nuk ka turp më të madh për një pushtet dhe për një kryeministër në Evropën e shekullit të 21 që nga një anë t’ju numërojë përditë arsimtarëve dhe arsimtareve rrogën që u rrit dhe nga ana tjetër t’i kërcënojë përditë se po nuk i dhanë votën do t’u heqë rrogën.”

Në mbyllje të fjalës së tij kryesocialisti u premtoi të pranishmëve se koalicioni i majtë do ta kthejë Gjirokastrën në polin e ri te zhvillimit te Jugut .

Edi Rama: “Për t’i dhënë më në fund Gjirokastrës mundësinë që të rikthehet në shkëlqimin e saj të dikurshëm që të ribëhet qyteti i ëndrrave, qyteti i shpresave, qyteti i të gjithë atyre që meritojnë më shumë, qyteti i të gjithë atyre që duan të dinë se nga vijmë. Cila është origjina jonë? Cila është kultura jonë? Dhe qyteti i gjithë atyre të rejave e të rinjve që duhet të vijnë drejt Gjirokastrës si një qytet i rilindur universitar, si një pol i ri i jugut, si një vend ku ne do të sjellim shumë më tepër turistë e turiste sesa sot dhe nga ku ne do të shporrim varfërinë, do të shporrim papunësinë, do të shporrim korrupsionin e një qeverie, e cila ka marrë peng Gjirokastrën siç ka marrë peng të gjithë Shqipërinë”./tvklan.al