Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u deklarua të mërkurën i sigurt se vendi do të ndryshojë qeverisjen në Qershor të vitit 2009.

Rama e lidhi këtë besim me inaugurimin e Barack Obamës si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilin e cilësoi lajmës të botës së re.

Kryesocialisti rezervoi vlerësime të larta për presidentin e sapo betuar amerikan, i cili siç tha Rama jo vetëm për Amerikën, por edhe për Shqipërinë reflekton nevojën për ndryshim.

Edi Rama: “S’ka dyshim se vendi ynë gjendet në një krizë të gjithanshme si rezultat i papërgjegjshmërisë të politikanëve që na kanë qeverisur keq e na qeverisin si mos më keq. Shembulli i gjallë dhe fjalët e rralla të presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë një vlerë të jashtëzakonshme jo vetëm për vendin më të fuqishëm të botës, por dhe për çdo vend tjetër ku njerëzit duan një punë dinjitoze, një shtet në shërbim të tyre, një të ardhme për fëmijët e tyre. Për këtë shembull të paçmuar edhe për Shqipërinë e shqiptarët që duan ndryshimin e begatimin e atdheut tonë dhe që tek Amerika e sotme shohin sesi njerëzit e zakonshëm realizuan një ëndërr të jashtëzakonshme. Ne sot jemi mirënjohës presidentit të sapo betuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.”

Deklarimi i kryetarit të Partisë Socialiste vjen vetëm një ditë pasi Barack Obama mori zyrtarisht detyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një rast i mirë ky që për kryesocialistin  duhet t’i shërbejë Shqipërisë të forcojë edhe më shumë marrëdhëniet me këtë vend për shkak të vizionit që përfaqëson presidenti Obama./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi