Bamir Topi: “Shteti në asnjë rast nuk duhet të infektojë sektorin e drejtësisë.”

Me një gjuhë gjysmë presidenciale kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka dhënë mesazhin e qartë, se do të luajë rolin e katalizatorit për të mos lejuar influencat politike në debatin që ka përfshirë shumë institucione.

Bamir Topi: “Historia e shoqërisë njerëzore ka treguar, se suksesi i një shteti nuk qëndron në retorikën dhe qëndrimin personale, që mund të çojë në një acarim tensionesh ndër institucionale dhe madje edhe në përjetësim të tyre. Parimet vlejnë në çdo kohë, ato nuk lidhen me legjislaturë apo mandate dhe janë garancia juaj më e mirë në llogaridhënien përpara vetës, shtetit dhe shoqërisë. Drejtësia bazohet në parime universale dhe ka një shprehje që thotë, se parimi nuk pranon as mëdyshje as shkallëzim.”

Me dyer të mbyllura anëtarët e këshillit kanë vazhduar diskutimin për shkarkimin e gjyqtares Mishgjoni, plotësimin e vendeve vakante të gjyqtarit të apelit për krimet e rënda, si dhe ato të inspektorëve pranë KLD-së.

Publikisht asnjë nga mediat e ftuara në mbledhjen e radhës të Këshillit të Lartë nuk kanë mundur të njihen me furtunën e paralajmëruar, se me 20 gjyqtarë të konstatuar me shkelje nga inspektorati i ministrisë së Drejtësisë, priteshin të merrnin masa disiplinore deri në shkarkimin nga detyra.

Ralatimi i ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj për këtë çështje u vendos të zhvillohej me dyer të mbyllura./tvklan.al

 Gazetare: Anduena Llabani