Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Gjendja e rëndë humanitare në Shqiperi dhe situata në Rajon ka sjellë sot në Tiranë, Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme të Asamblesë Kombëtare Franceze, Zhak Lang. I dërguar nga kjo asamble dhe qeveria franceze, Lang ka biseduar me homologun e tij shqiptar Sabri Godo. Lang është shprehur se Qeveria Franceze ka planifikuar ndihma konkrete për Shqipërinë dhe të ardhurit nga Kosova.

Qeveria Shqiptare, nënvizoi Godo ka shumë nevojë për mbështetje dhe ndihme në këto momente. Godo dhe Lang duke u përqëndruar në zhvillimet e fundit në Kosovë dhe sulmet e NATO-s mbi Jugosllavi u shprehen optimist persa i përket rikthimit të shqiptarëve të shpërngulur me forcë nga trojet e tyre në Kosovë.

Më pas Lang ka vizituar të ardhurit nga Kosova që janë strehuar në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” dhe në Kompleksin Sportiv në Tiranë, ku ka parë nga afër gjendjen në të cilën janë sistemuar të ardhurit nga Kosova. Më pas i dërguari i qeverisë franceze Zhak Lang u shpreh:

Zhak Lang:- “Ne e kemi shtuar jashtëzakonisht ndihmën tonë për Shqiperinë. Kryesisht kjo ndihmë do të jetë teknike si ndërtime qendrash miksore, shkollash e të tjerë. Por Franca do të sjellë në Shqipëri gjithashtu ushtarake e policë. Qeveria Franceze është e vendosur të ndihmojë Shtetin Shqiptar për të kaluar këtë situatë tejet të vështirë. Përsa i përket gjendjes së refugjatëve që sapo vizitova mund të them që është tepër e vështirë. Por me sa pashë secili bën përpjekje maksimale për të ndihmuar të ardhurit nga Kosova. Gjeja më e mirë është që keni evituar çdo panik dhe gjithshka bëhet me qetësi”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego