Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Meta, ka zgjedhur një tjetër formë për të rikthyer bashkëpunimin me selinë rozë. Pas adresimit publik nëpërmjet një konference për shtyp, Meta i ka dërguar gjithashtu në letër publike kryetarit të PS Edi Rama.

Argumenti mbi bazën e të cilit zhvillon të gjithë letrën, është pikërisht oferta e Ramës për një bashkim të ri.

Ilir Meta: “Unë do t’ju pyesja, mos po na thërrisni në këtë sezon të ri bashkëpunimi që të përmbushim edhe çështjet e tjera të agjendës opozitare përveç zgjedhjes së presidentit që me votat e partisë që drejtoni u mor nga Berisha, zgjedhjeve të parakohshme, që nuk u realizuan kurrë, e reformës zgjedhore që ju e bëtë përsëri vetëm me Berishën, çështje për të cilat kishim nënshkruar “marrëveshje historike” të viti 2006, që ju e keni cilësuar si më të qenësishmen e politikës së re?”

Duke ngritur këtë pyetje, Meta ka rikujtuar ndryshimet në Kushtetutë që sipas tij përbaltën vullnetin e 1 milion shqiptarëve që votuan atë në vitin 1998. Për këtë kreu i LSI ka kërkuar edhe njëherë bashkim të firmave  të deputetëve socialistë për organizimin e referendumeve në Kushtetutë një mënyrë kjo sipas tij për të pastruar ndërgjegjen.

Ilir Meta: “Duke i shtuar këtyre ndryshimeve edhe sistemin zgjedhor të listave të mbyllura di edhe ndryshimin e zgjedhjes së presidentit të republikës me një shumicë të thjeshtë partiake, ju i jepni mundësi Sali Berishës jo vetëm të gëzojë shkatërrimin e të gjithë sistemit demokratik të kontrollit e të balancës që kishte Kushtetuta e vitit 1998, por e shndërroi atë në kontrollues e të të gjitha institucioneve të shtetit. Veçse nëse populli shqiptar dëshiron të certifikojë këtë republikë të Sali Berishës, atëherë ashtu u bëftë! Përndryshe, kërrkush nuk mund ta vendosë këtë në tavolinë as edhe ju me Sali Berishën.”

Për të gjitha këto argumente kreu i LSI ka kërkuar reflektimin e kryetarit socialist Edi Rama, që do duhet të finalizojë me referendum mbarë popullor./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi