Qeveria italiane do të mblidhet të Hënën për mënyrën se si do të veprohet në vazhdim me dërgimin e emigrantëve të jashtëligjshëm në kampet e riatdhesimit në Shëngjin dhe Gjadër.

“Kam thirrur për nesër një mbledhje qeverie për çështjen e Shqipërisë, se si do të vazhdojmë”.

Duke folur gjatë samitit veri-jug në Finlandë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni sqaroi se Gjykata e Lartë i ka dhënë të drejtë qeverisë së saj në mosmarrëveshjet me gjykatën e Romës.

“Më duket se Gjykata e Lartë ka rënë dakord në thelb me qeverinë italiane për faktin se është e drejtë e qeverisë për të përcaktuar listën e vendeve të sigurta të origjinës. Ndërsa gjykatësit mund të ndërhyjnë në çështje individuale në lidhje me këto lista, por jo t’i zhbëjnë ato”.

Mosmarrëveshja mes qeverisë italiane dhe gjyqësorit vendas nisi më 18 Tetor, kur Gjykata e Romës vendosi kthimin e 12 emigrantëve nga Bangladeshi dhe Egjipti në Itali me argumentimin se këto dy vende ishin të pasigurta, ndonëse autoritetet italiane nuk u kishin dhënë atyre azil dhe i dërguan në kampet e Shqipërisë për të vazhduar me procedurat e riatdhesimit.

Menjëherë më pas, qeveria italiane i miratoi një listë të re vendesh të sigurta origjine, e njëjta gjykatë anuloi edhe dërgimin e grupit të dytë në Gjadër më 8 Nëntor, duke argumentuar se do të kërkohet mendimi i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Edhe pse Gjykata e Lartë ka dhënë një opinion, kjo çështje kërkon një vendimmarrje në nivel europian, ndërsa unioni pritet të hartojë një listë të njehsuar vendesh të sigurta origjine në fillim të vitit të ardhshëm.

Klan News