Ky është momenti kur të 43 emigrantët u nisën nga Porti i Shëngjinit për t’u kthyer drejt Italisë.
Emigrantët u transportuan nga kampi i Gjadrit për në Portin e Shëngjinit me autobus, të shoqëruar nga karabinierët italiane si dhe nga Policia Shqiptare.
Rikthimi i emigrantëve drejt Italisë erdhi pas vendimit të marrë pasditen e së premtes nga Gjykata e Apelit në Romë, pasi sipas gjyqtarëve, ndalimi i emigrantëve ishte i pavlefshëm dhe tashmë kanë referuar dokumentet në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.
Shumica e emigrantëve ishin nga Bangladeshi, ndërsa pjesa tjetër vinin nga Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia.
Ky është vendimi i tretë i gjykatave italiane kundër qeverisë Meloni për dërgimin dhe mbajtjen në kampin e Gjadrit të emigrantëve të paligjshëm.
Vendimi i parë ishte më 18 Tetor 2024 dhe kishte të bënte me 12 azilkërkues të sjellë në qendrën e Gjadrit, ndërsa vendimi i dytë mban datën 11 Nëntor po të vitit të shkuar ku përfshiheshin 7 emigrantë të huaj, të gjithë nga Egjipti dhe Bangladeshi.
Fjalën e fundit për këtë çështje të emigranteve do ta thotë Gjykata Europiane e Drejtësisë e cila do të shprehet më 25 Shkurt.
Klan News