Monedha evropiane Euro vijon të humbëse terren ndaj lekut. Në agjencitë e këmbimit valutor euro ka kapur kuotat e ditës së hënë, që është dhe kuota mesatare normale. Sot 1 euro është blere me 133.7 leke dhe është shitur me 134.8 leke. Ky është edhe çmimi më i ulët i dy javëve të fundit.
Gjatë dy ditëve ka patur më shumë shitje se sa blerje të monedhës evropiane dhe kjo ka ndikuar në rënien e vlerës së saj. Përfaqësues të agjencive të këmbimit valutor thonë se sot dhe dje tregu ka reaguar, pas deklaratave të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe ministrit të financave Ridvan Bode për fortësinë dhe sigurinë e monedhës vendase, lekut. Krerët e dy institucioneve më të rëndësishme financiare në vend, sqaruan se frika e agjenteve financiare për dobësimin e lekut ishte e pabazë. Java që vjen pritet të sjellë normalizim të mëtejshëm të tregut financiar, ku euro pritet të shkojë në kuotat e 134 – 135 lekëve.
Euro është dobësuar edhe kundrejt dollarit, ndërsa është forcuar ndaj paundit britanik dhe frangës zvicerane. Nga ana tjetër, leku është forcuar jo vetëm kundrejt euros, por edhe ndaj monedhave të tjera të huaja, pjese e tregut tonë valutor. Përsa i përket kërkesë së tregut leku ka qenë monedha më e kërkuar në dy ditët e fundit./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami