Dy ditë më parë lajmet për tentativë atentati ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti “pushtuan” mediat. Duke iu referuar burimeve nga institucionet e sigurisë së Kosovës, u raportua se pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të OKB-së, ka pasur kërcënime ndaj Kurtit nga një grup serb.

Sonte në “Opinion” gazetari Venhar Isufi bën me dije se nuk ka nisur ende një hetim nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Ai madje shprehet në një moment se mbase kanë qenë informacione të nxituara, pasi duhen konfirmuar prej autoriteteve përgjegjëse.


-Çfarë ka ndodhur realisht?

Venhar Isufi: Pas fjalimit të tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, siç ka dalë nga mediat e Kosovës, është thënë se ka pasur tentativë atentati nga një grup që ka qenë i afërt me Serbinë, pra Beogradin zyrtar.

-Po cili ishte burimi? Shërbimet Sekrete, Shërbimet Partnere, policia?

Venhar Isufi: Burimi i informacionit kanë qenë nga niveli i Sigurisë së Lartë të Kosovës dhe nga persona që kanë qenë pranë vendit ku është mbajtur takimi i zotit Kurti me partinë e djathtë, por që informacionet pra kanë ardhur nga terreni.

-Informacione nga terreni si? Pra, kanë parë njerëz që s’kanë qenë fytyra të mira? Se është serioze kur vijnë nga struktura të specializuara për atë çështje, por me pa me sy gazetari se kush vjen rrotull nuk më duket se është burim.

Venhar Isufi: Në institucionet e Inteligjencës, përveç zyrtarëve ka bashkëpunim me qytetarët. Ka qytetarë që bashkëpunojnë dhe jashtë territorit të Kosovës. Janë burime brenda institucionit të Sigurisë. Dua të potencoj se sipas burimeve tejet të sigurta, brenda Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, faza e hetimeve për këtë çështje ende nuk ka filluar.

-Si nuk ka filluar? Një tentativë për të vrarë kryeministrin sigurisht duhet të ketë hetim.

Venhar Isufi: Është duke u bërë ndoshta mbledhja e informacioneve dhe bashkëpunime që i kanë me agjenci të ndryshme. Mbase televizioni publik i Kosovës mbase është nxituar për ta raportuar këtë lajm. Ende nuk ka asnjë konfirmim nga organe të sigurisë./tvklan.al