Para shpërndarjes, Kuvendi i Kosovës pritet të votojë një marrëveshje për fondet e Bashkimit Evropian, (IPA) vlera e të cilave është rreth 100 milionë euro. Për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten 80 vota pro.
Në prag të shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, subjektet politike tashmë kanë filluar të finalizojnë marrëveshjet për koalicione parazgjedhore. Shpërndarja e Kuvendit e paraparë me një seancë të jashtëzakonshme të enjten e kësaj jave, më 22.08 do t’i mundësonte Presidentit të Kosovës të shpallë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
AAK e hapur edhe për partnerë të tjerë krahas PSD-së
Koalicioni i parë parazgjedhor u nënshkrua ndërmjet AAK-së e kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinajt dhe Partisë Social Demokrate PSD e udhëhequr nga kryebashkiaku i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se partia e tij, është e hapur edhe për partnerë të tjerë.
“Marrëveshja e koalicionit ka pasur për bazë qëllimet programore të PSD-së dhe AAK-së dhe kemi arritur që të bashkojmë ekspertizat më të mira që kemi në parti. Jemi të hapur për bashkëpunim me Nismën, AKR-në me këto parti që kemi edhe një komunikim të ndërsjellë”, tha Haradinaj.
LDK do të presë përfundimin e zgjedhjeve për koalicionet
Partia më e madhe opozitare LDK, tashmë është deklaruar se ajo do të garojë e vetme në zgjedhje, po për koalicione pas-zgjedhore, LDK është e hapur, përjashtuar këtu Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) me të cilën ka qeverisur deri në vitin 2017. “Politika nuk zhvillohet me hatërmbetje dhe inate. Në jetën politike lëvizen gurët për të ndërtuar rrugë bashkëpunimi me ata që beson”, është shprehur kryetari i LDK-së Isa Mustafa. Mustafa është takuar me të gjithë kryetarët e subjekteve politike, por jo edhe me krerët e PDK-së, parti kjo që dy vjet më parë ndonëse ishte në qeveri, me një mocion mosbesimi e rrëzoi qeverinë Mustafa.
Edhe PDK duket, se do të garojë e vetme në këto zgjedhje, por për koalicionet pas-zgjedhore, kjo parti thotë se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti politike, përjashtuar këtu Lëvizjen Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti. Vetëvendosja e zotit Kurti, po kërkon që të hyjë në koalicion me LDK, e në rast fitoreje kërkon postin e kryeministrit, gjë që për LDK-në tash për tash është e papranueshme.
Koalicionet reflektojnë pasigurinë e partive
Analistët politikë thonë, se sistemi proporcional që aplikohet tash për tash në Kosovë, u mundëson partive politike të bëjnë koalicione parazgjedhore. Blerim Burjani, analist i tha DW-së, se partitë politike në Kosovë nuk ndihet të sigurta në votat e tyre, prandaj hyjnë në koalicione. “Për shkak të pasigurisë së subjekteve politike dhe sistemi proporcional i Kosovës në një mënyrë i obligon subjektet politike të hyjnë në koalicione parazgjedhore, për të fituar sa më shumë në rezultatin final. Dhe e dyta pasiguria, se ata mund të humbin apo të dalin triumfues, i obligon jo rrallë të bëjnë koalicione parazgjedhore. Partitë politike aktuale ka kohë që e kanë humbur popullaritetin te qytetarët. Edhe dalja në zgjedhje mund të jetë më e vogël dhe dalja eventuale e vogël në votime është një element po ashtu që i shtyn të bëjnë koalicione parazgjedhore”, thotë Blerim Burjani.
Kritika sistemit proporcional
Sipas tij sistemi proporcional në Kosovë ka prodhuar keq-qeverisje. “Ky sistem nuk ka prodhuar qeverisje efikase. Përgjegjësia është shpërndarë edhe brenda qeverisë dhe ka krijuar principata të vogla të padëgjueshme. Kryeministri ishte kryeministër për ministrat e partisë së tij, por jo edhe për ministrat e tjerë që vijnë nga partitë tjera, pjesë e qeverisë. Kosova ka pasur dëme të konsiderueshme në këtë sistem, ku partitë me ligj zgjedhor i numërojnë votat e tyre përmes komisonerëve që i dërgojnë rezultatet edhe në KQZ. Ky sistem nuk është i shumicës votuese, sepse e shpërndan votën në mënyrë proporcionale dhe kjo ju konvenon të gjitha partive të vogla, madje edhe ekstreme që të hyjnë në Kuvend. Pra, me këtë sistem zgjedhor, nuk ka gjasa minimale të marrë dikush nga partitë shumicën, prandaj të gjithë detyrohen të hyjnë në koalicione”, thotë Burjani.
Shpërndarja e Kuvendit me një seancë të jashtëzakonshme të enjten konsiderohet e sigurt. Partitë politike kanë përjashtuar, se mund të ketë ndonjë befasi duke thënë, se Kuvendi do të shpërndahet dhe të gjitha partitë pa përjashtim kanë garantuar prezencë në sallë dhe votë pro shpërndarjes së Kuvendit. Deri tani janë deponuar 80 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme. Sipas Rregullores së Kuvendit, në mënyrë që votimi të jetë i vlefshëm për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten së paku 80 vota pro nga 120 deputetë sa i ka kuvendi i Kosovës./DW