Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha i ka kujtuar nga Peqini kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama se me të dhe krah tij qëndrojnë si politikë e re ata që mbajtën për 8 vjet peng integrimin e vendit, ata që e bënë Shqipërinë vendin më të kriminalizuar dhe korruptuar jo vetëm në Europë, pjesë e së cilës është edhe ai vetë.
Rama sipas Bashës endet nëpër sallat e Shqipërisë pa asnjë alternativë, pasi atë e ka zëvendësuar me një fushatë të denigruar shpifjesh dhe mashtrimesh të mirëpaguara me objektiv goditjen e sukseseve të kësaj qeverie.
Lulzim Basha: “Ai që ditën e vizitës së presidentit Bush hapi fjalën se shqiptarët i vodhën orën, mikut të tyre më të madh. Ai që ditën e ftesës sonë për anëtarësim në NATO organizoi mitingun famëkeq kundër saj. Ai që briti si një i marrë, duke u tallur me vdekjen e një njeriu për qëllimet e tij politike. Ai që nëpërkëmb çdo komb njerëzor për interesin e vet politik. Ai që nuk ndahet dot as një natë nga nata e pafund e të kaluarës së tij. Vërsulet sot e çdo ditë në salla si kjo me tërbim, mbi të tashmen dhe të ardhmen e një Shqipërie që po ndryshon çdo ditë.”
Shqipëria është sot e transformuar tërësisht si në rrafshin ekonomik ashtu edhe atë politik, tha Basha dhe kjo është e prekshme nga kushdo. Në 4 vjet u bë i mundur realizimi i projektit, ëndërr e Shqipërisë, anëtarësimi në NATO ndërsa u nënshkrua dhe ratifikua MSA-ja.
Lulzim Basha: “Ne që e futëm vendin në NATO, ne do t’i heqim vizat për qytetarët shqiptar, ne do ta fusim vendin në Bashkimin Europian. Ne që ndërtuam veprën shumëshekullore ëndërr Durrës-Kukës, ne do të ndërtojmë rrugën e Arbrit, ne do të ndërtojmë edhe rrugën fushore Tiranë-Elbasan e shumë e shumë vepra të tjera madhore kombëtare.”
Ministri Basha ka garantuar se Partia Demokratike do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim edhe në 4 vitet e ardhshme për të ndërtuar rrugë, shkolla, spitale, ujësjellës, për të rritur pagat e pensionet. Deklarata e Bashës u bë në Kuvendin e 9 të Partisë Demokratike të Peqinit./tvklan.al