Zili: Isha i dehur, më kishin 6 mijë lekë borxh
Ali Zili, autori i dyshuar i vrasjes së dy të moshuarave pak ditë më parë në Progër të Devollit do të qëndrojë në burg. Gjykata e Korçës ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka caktuar ndaj tij masën arrest me burg deri në përfundim të hetimeve.
36-vjeçari është shfaqur i qetë gjatë seancës gjyqësore që u mbajt me dyer të mbyllura.
Ai ka pranuar autorësinë e krimit, duke pohuar se e ka kryer vrasjen e dyfishtë ne gjendje të papërgjegjshme duke pretenduar se ka qenë i dehur. Shkak sipas tij është bërë një borxh prej 6 mijë lekësh që i detyroheshin dy viktimat.
Mbrojtja ka kërkuar ekspertim psikiko-ligjor të 36-vjeçarit edhe pse ai nuk ka qenë me parë i diagnostikuar apo kartelizuar për probleme mendore.
Ali Zili masakroi me mjete të forta të enjten e javës së kaluar në shtëpinë e tyre në fshatin Progër të Devollit, Bukurie dhe Fatmira Bami, 60 dhe 80 vjeçe.
Trupat e viktimave u zbuluan nga fqinjët dy ditë më vonë dhe policia arrestoi si të dyshuar për krimin 36-vjeçarin Zili, i proceduar më herët për dhunë në familje.
Tv Klan