Masakra ndodhi dy ditë para se të zbulohej
Bukurie dhe Fatmira Bami, nuse dhe vjehërr 60 dhe 80 vjeç, të cilat u gjetën pa jetë në shtëpinë e tyre në Devoll, janë vrarë dy ditë përpara se të zbulohej krimi.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se autori Ali Zili, i ndaluar të shtunë nga policia, e ka kryer vrasjen mbrëmjen e së enjtes.
Menjëherë pas krimit ai është larguar nga fshati me një taksi në drejtim të qytetit të Korçës, duke i thënë taksistit që i ishte rrëzuar nëna.
Rrobat e gjakosura nga përleshja me dy viktimat Zili ia ka dhënë një endacaku në qytetin e Korçës. 36-vjeçari është munduar të fshehë gjurmët e krimit, duke u larguar për dy ditë nga fshati. Të njëjtat burime pohojnë që autori i krimit ka pasur hematoma në duar, çfarë tregon që i ka goditur edhe me grushta viktimat. Ndërkohë, në duart e njërës prej viktimave janë gjetur tufa flokësh të autorit të krimit.
Arrestimi i Ali Zilit u bë në shtëpinë e tij, në të cilën sipas vëllait të autorit, ishte kthyer rreth orës 5 të mëngjesit të së shtunës. Për policinë motivi i ngjarjes mbetet grabitja.
Tv Klan