Zyrtarja e FSHF-së dhe përkthyesja e trajnerit Silvinjo, Lenida Halilaj, zbuloi në Klan News se atmosfera e Kombëtares është shumë e mirë në prag të sfidës me Ukrainën.

Ajo theksoi se ekipi është i motivuar dhe synohet vetëm fitorja. Ndër të tjera, Halilaj tha se trajneri Silvinjo e tregon formacionin titullar vetëm dy orë para ndeshjes, kur informon lojtarët që do të luajnë.

“Atmosfera është pozitive. Ekipi është i motivuar. Kjo është një finale. Duhet përgatitur mirë, për të marrë fitoren dhe për të synuar vendin e parë në grup, duke pasur parasysh edhe fatin për ndeshjen tjetër.

Çekia është një kundërshtar shumë i vështirë. Ne kemi luajtur disa ndeshje me ta në vitet e fundit. Fizikisht janë shumë të fortë. Më dukej e habitshme kur i kam parë nga afër lojtarët e Çekisë, aq të mëdhenj. Shumë ë fortë në fushë. Ishin superiorë nga aspekti fizik. Në grupin tonë, mund të ndodhin të gjitha rezultatet. Gjithçka mund të ndodhë.

Realisht, ndoshta nuk e beson njeri, por në minutën e fundit e marrim formacionin edhe ne, për të bërë grafikën. Stafi i bën planet, por mund të ndryshojë në bazë të formës së lojtarëve. Teknikisht edhe ne e marrim formacionin pak përpara se ta nxjerrim. Trajneri bën një mbledhje me ekipin rreth 2 orë para ndeshjes dhe aty informohen lojtarët që do të jenë në fushë”, deklaroi Halilaj.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Ukrainës, do të luhet ditën e shtunë në orën 20:45, ndërsa transmetohet në ekranin e Tv Klan.

/tvklan.al