Artistët e mëdhenj e dinë veten gjithmonë shumë më të vegjël përballë artit.
Kështu thoshte Artisti i Popullit, Pjetër Gjoka, që ia kushtoi 52 vite skenës së teatrit dhe kinemasë e ndërsa në të gjallë Pjetër Gjoka rrëmbente duartrokitjet e shfrenuara të publikut në fund të një premiere tashmë miqtë e tij e përkujtojnë përmes një libri monografi, kushtuar artistit të madh nga i biri i tij Gjovalin Gjoka e Gjovalin Çuni.
Adriatik Kallulli: “Këtu ka fakte të mëdha mbi formimin e Pjetër Gjokës si artist shumë serioz, si artist me një kualitet estetik të madh. Në pjesën e parë të librit ka shumë hollësira mbi jetën e Pjetrit në Shkodër. Në çdo rol që përgatiste ai i referohej edhe kulturës.”
Në këtë takim u projektuan edhe disa nga filmat dhe dramat, personazhe të të cilëve i përjetësoi Pjetër Gjoka.
Disa nga rolet e tij më të arrira në dramat “Arturo Ui”, “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Intrigë dhe dashuri” apo në filmat “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “20 ditë”, e mjaft të tjerë, ndërsa në hollin e teatrit kombëtar ishin ekspozuar objekte të artistit, foto origjinale nga karriera artistike, por edhe disa nga kostumet e veshura prej tij në rolet teatrale.
Dhe shprehja e Bertolt Brecht se njeriu i skenës është më shumë se ai i jetës duket mjaft e qëlluar për artistin që diti të sjellë nga jeta e rëndomtë diçka që mbetet në përjetësi./tvklan.al