Për të shmangur konfliktin e interesit, por edhe përfitimet e paligjshme që një zyrtar mund të marrë nga fondet publike, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ka vendosur që në deklaratën e pasurive të përfshihen edhe të ardhurat që vijnë nga fëmijët madhorë, si dhe të identifikohen emrat e prindërve të dy bashkëshortëve. Një ligji të tillë pritet t’i nënshtrohen dhe zyrtarët e rinj si dhe deputetët që ulen për herë të parë në parlament.
Adriatik Llalla: “Të gjithë të zgjedhurit e rinj, deputetët e rinj ashtu si çdo zyrtar tjetër që ka detyrim për deklarimin e interesave private në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, duhet që brenda 30 ditëve nga marrja e detyrës, në rastin konkret të funksionit, ka detyrimin ligjor për deklarimin e interesave private në ILDKP. Njëherazi të njëjtin detyrim kanë edhe ish-deputetët, të cilët brenda 15 ditëve nga përfundimi i mandatit të tyre, pas largimit nga funksioni kanë detyrim për deklarimin e interesave private në institucionin tonë.”
Kreu i Inspektoratit deklaron për Tv Klan, se institucioni që drejton has shumë vështirësi në marrjen e deklarimit të deputetëve që lënë mandatin. Në shumë raste ai ka kërkuar bashkëpunimin me drejtësinë për ndëshkimin e atyre që fshehin pasurinë.
Adriatik Llalla: “Një numër i madh i ish-deputetëve janë paraqitur vullnetarisht në Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe kanë plotësuar formularët pas largimit nga funksioni. Një pjesë kanë shkuar pranë autoritetit përgjegjës në kryesinë e Kuvendit. Jemi në pritje të reagimit të një pjese tjetër, që mund të jetë rreth 30% që ende nuk kanë bërë deklarime përkatëse.”
Për këtë kategori inspektorati ka vendosur një afat prej 15 ditësh nga lënia e mandatit. 35 nëpunës janë dërguar për ndjekje penale nga ana e inspektoratit për mos deklarim të të ardhurave, ndërsa në gjykim kanë përfunduar 5 raste.
Brenda 5 vitesh inspektorati ka dërguar në prokurori 62 kallëzime penale, 150 raste të zgjidhura të konflikteve të interesit dhe më shumë se 230 ndëshkime me masën administrative gjobë. Shumë kallëzime të tjera mbeten ende pa përgjigje nga ana e prokurorisë.
Në këtë institucion deklarojnë periodikisht mbi 4 mijë zyrtarë, që nisin nga presidenti i Republikës, deputetë, ministra e deri te drejtuesit e pushtetit lokal, punonjësit e doganave dhe tatimeve. Ligjvënësi ka parashikuar një kategori të gjerë zyrtarësh, me qëllim evidentimin dhe parandalimin e elementit korruptiv në administratën shtetërore./tvklan.alGazetare: Anduena Llabani