Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e arrestit në burg për Arben Lamçen, i ekstraduar disa ditë më parë nga Kosova në Shqipëri. Lamçja, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar akuzohet se ka siguruar kushte dhe mjete për të vrarë Nurendin Dumanin, për llogari të Franc e Hajdar Çopja.
Sipas SPAK, gjatë periudhës Tetor-Nëntor të katër viteve më parë, 50-vjeçari pasi ka siguruar materialet, është takuar edhe me personin që do kryente vrasjen. Ky i fundit i ka kërkuar Arben Lamçes më shumë të dhëna për Nuredin Dumanin, si makinat që lëvizte, numrin e telefonit apo dhe vendndodhjen e tij. Për vrasjen e Nuredin Dumanit rezulton të jene ofruar 250.000 Euro për kapjen e tij dhe 500.000 Euro për ekzekutimin.
Në fashikujt e dosjes së SPAK, që i referohet komunikimeve në aplikacionet SKY ECC dhe Encrochat, rezulton se Lamçja informoi Franc Çopjan se personi që ka marrë përsipër vrasjen ka filluar ndjekjen e Dumanit bashkë me njerëzit e tij.
Një tjetër akuzë që rëndon ndaj 50-vjeçarit Lamçja është dhe pastrimi i parave. Duke qenë i besuar i grupit Çopja, dyshohet se menaxhonte vlera monetare kesh, të cilët më pas i ka përdorur për të blerë pasuri të paluajtshme për llogari të tyre. Këto pasuri janë regjistruar në emër të familjarëve të Franc Çopjas, i cili është pronari de facto i tyre.
Arben Lamçja sipas Prokurorisë së Posaçme, me porosi të Franc Çopjas nga një zyrë këmbimi valutor ka transferuar shuma të mëdha që kanë shërbyer për blerje të pronave të ndryshme, apo realizim pagesash për blerje të lëndëve narkotike për llogari të organizatës kriminale.
50-vjeçari u arrestua më 4 Gusht në Kosovë për llogari të një vendimi të Gjykatës së Posaçme që caktoi ndaj tij masën e sigurisë arrest në burg në mungesë.
Klan News