Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku thotë se linja nënujore që do të lidhë vendin tonë me Italinë e çon Shqipërinë në një nivel tjetër të transmetimit të energjisë elektrike.

Referuar linjave të interkonjeksionit, Balluku shprehet se Shqipëria kërkon lidershipin në rajon për t’u kthyer deri në vitin 2030 një forcë eksportuese neto.

Belinda Balluku: Përsa i përket marrëveshjes 3-palëshe midis Shqipërisë, Emirateve të Bashkuara dhe Italisë për linjën e interkonjeksionit që do të lidhë vendin tonë me brigjet italiane. Shqipëria është një nga vendet më të mirë të ndërlidhura nga ana e interkonjeksionit, që e lidh me Greqinë, me Kosovën, me Malin e Zi. Kapacitetet me Greqinë do të shtohen, do ta trefishojmë për shkak të volumeve që kërkohen të përcillen.

Linja nënujore që do të lidhë Shqipërinë me Italinë e çon Shqipërinë në një nivel tjetër të transmetimit të energjisë elektrike. Një pozicion i favorshëm gjeografik, edhe një pozicion i favorshëm gjeopolitik për shkak të rolit që luajmë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por sigurisht edhe rolin e një lideri përsa i përket energjisë, qoftë kjo nga burimet e rinovueshme, qoftë kjo për diversifikimin e këtyre burimeve, qoftë për rritjen e këtyre volumeve.

Është një betejë e re kjo e linjave të transmetimit, interkonjeksioni, ku Shqipëria kërkon të ketë lidershipin në rajon për t’u kthyer deri në vitin 2030 në një forcë eksportuese neto, ndërkohë që ne sot vazhdojmë dhe importojmë një pjesë të sasisë që duhet për të mbuluar kërkesën e tregut shqiptar.

/tvklan.al