Pas 40 vitesh harresë, rreth 13 mijë banorët që jetojnë përgjatë Rr. “Babë Rexha” do të marrin një furnizim më të mirë me ujë. Bashkia e Tiranës dhe UKT po kryejnë një nga investimet më të rëndësishme në ujësjellës, duke shtruar një linjë krejt te re tubacioni, që sjell përmirësimin e furnizimit me ujë për një nga lagjet më të mëdha të kryeqytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kreu i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi dhe drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla, inspektuan punimet që po kryhen në terren nga specialistët, ndërsa vlerësoi faktin që ky investim zëvendëson një tubacion të ndërtuar që në vitin 1978, i cili ishte amortizuar plotësisht.

“‘Babë Rexha’ është një nga zonat e Njësisë 7 që ishte lënë e fundit, por në 4 vjet e filluam tek “Dogana”, e vazhduam tek ish “Fusha e Aviacionit”, vazhduam tek Rr. “Dritan Hoxha”, Rr. e “Kavajës”, të gjitha linjat transmetuese dhe kanalizimet. Kjo është një zonë në zhvillim, me pallate të reja, pallate të vjetra, shtëpi edhe më të vjetra, ndaj besoj që uji është një nga gjërat e para që njerëzit pyesin: “A ka ujë 24 orë? A ka shkollë, a ka kopshte, a ka çerdhe”. Kështu që, tani i përgjigjemi edhe një pyetjeje për urbanizimin e zonës”

, tha Veliaj.

Ai vlerësoi punimet që po kryhen në Bovillë për dyfishimin e kapaciteteve të furnizimit të kryeqytetit me ujë të pijshëm dhe për rikonstruksionin gjer në nivel kapilar të linjave të transmetimit.

“Patëm mundësi të shohim se si në Bovillë është duke u punuar jashtëzakonisht mirë dhe për herë të parë, pas njëzet e kusur vitesh, po dyfishohet kapaciteti i Bovillës, pra i ujit që mund të fusim në sistem. Por, kjo nuk do të kishte asnjë impakt nëse vazhdojmë me linjat e amortizuara në nivel kapilar. Pra, një rrjet i bërë shoshë, si kulluese makaronash, nuk arrinte të sillte dot ujin ose e sillte me pikatore, çka vihej re në mënyrë dramatike në periudhën e verës. Jam i lumtur që, siç po punojmë aty ku është koka e problemit e po dyfishohet kapaciteti i Bovillës, po vazhdojmë me linjën e transmetimit tani në nivelin kapilar”,

tha ai.

Falë investimeve të Bashkisë së Tiranës, brenda 5 viteve kryeqyteti do të ketë furnizim me ujë të pijshëm 24 orë në ditë. “Kemi hyrë në vitin 2019, që është viti i parë i planit tonë 5-vjeçar për Tiranën me ujë 24 orë. Në 2024 do të duhet të kemi ujë 24 orë dhe besoj që si vit i parë i planit që miratuam në këshill bashkiak, fillimin e kemi shumë të mbarë me Bovillën, me linjën e transmetimit që i jep ujë gjithë “Astirit” dhe zonës së Unazës së Re. Nëse e kapim këtë investim deri në fund të marsit, do të jetë një lajm shumë i mirë për banorët sepse do të thotë që do të jetë vera e parë pa probleme. Jam i bindur që do ia shohim hajrin të parët me banorët e kësaj njësie”, nënvizoi Veliaj, teksa siguroi se ritmi i lartë i punimeve do të vijojë edhe më tej.

“Jam shumë entuziast për mënyrën se si po ecin punimet; tani duhet të mbajmë ritmin! Tirana është numri një sot në Republikë për pagesat e ujit të pijshëm. Do të thotë se nuk paska qytet që s’bëhet! Pra, nga qyteti më i dobët, dolëm sot në qytetin e parë, do të thotë që njerëzit janë të gatshëm, njerëzit e duan shtetin, njerëzit e duan rregullin, njerëzit e duan t’i paguajnë faturat për sa kohë që po shohin që marrin shërbime. Po të mbajmë këtë ritëm, jam i bindur që edhe njerëzit do të vazhdojnë të na mbështesin”,

u shpreh ai./tvklan.al