Ergys Mërtiri mendon se vendimi për lirimin e Sali Berishës është normal. Sipas tij, Berisha hyri vetë me këmbët e veta në arrest shtëpie dhe tani po shitet si fitore. Lirimin e Berishës, Mërtiri e konsideron si një rikorrigjim të gabimit që bëri.

“Berisha sot nëse do i ishte bindur vendimit të gjykatës, do kishte shkuar të zbatonte masën e detyrimit paraqitje nuk do hynte në arrest shtëpie. Çfarë bëri Berisha? Berisha ishte jashtë. Hyri vetë me këmbët e veta dhe tani thotë sukses që dola jashtë. Domethënë ky ahengu i këtyre, festa e këtyre, edhe e Florianës, është thjesht se Berisha rikorrigjoi atë që bëri gabim. Pra është jashtë ndërkohë që hyri me këmbët e veta brenda”, tha Mërtiri.

Sipas Mërtirit, demokratët gëzojnë mbi një fitore të rreme pasi pas këtij viti që lideri i tyre ishte në arrest shtëpie, janë kthyer në momentin ku ishin.

“Ajo që është thelbësore është që gjithë ky gëzim që shfaqin këta tregon një gjë tjetër. Tregon që janë kaq dobët dhe kaq rëndë sa gëzohen nga një gjë ku s’ka asgjë. Kanë arritur suksesin që kishin para një viti. Bënë një vit xhiro kot, një vit njerëzit poshtë ballkonit sepse ai nuk shkon të zbatojë vendimin e gjykatës. Këta janë fiks në momentin që ishin para një viti. Kanë bërë një xhiro dhe janë kthyer fiks në momentin ku ishin. Gjithë kjo për mua tregon që këta kanë nevojë për fitore të rreme, për fitore që nuk ekzistojnë. Kanë nevojë të festojnë një gjë që nuk ka arsye për t’u festuar”, tha Mërtiri./tvklan.al