Qeveria ka dhënë një fond prej 500 milion lekësh të vjetra për thellimin e zonës së portit në mbështetje të peshkimit në qytetin e Vlorës.
Ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, gjatë një vizite në zonën e triportit, ku qëndrojnë rreth 72 anije, u takua me peshkatarë në qytetin e Vlorës dhe i garantoi ata për gatishmërinë e qeverisë për t’i mbështetur.
Lufter Xhuveli: “Momentalisht jemi duke u përqendruar në krijimin e kushteve portuale për anijet e peshkimit në Vlorë kryesisht, por edhe në Durrës. Në Vlorë do të fillojë pas dy muajsh dhe do të përfundojë brenda këtij gjashtëmujori thellimi i portit të peshkimit këtu ku jemi së bashku. Qeveria ka akorduar një fond prej 500 milion lekësh të vjetra po flas dhe besoj që kjo do të krijojë kushte shumë më të mira të punës dhe të sigurisë për anijet e peshkimit. Po kështu do të fillojë po këtë vit ndërtimi i portit të ri të peshkimit në Durrës.”
Ministri Xhuveli i njohu peshkatarët dhe me nismën e Ministrisë së Mjedisit për furnizimin e peshkatarëve me naftë pa akcizë. Përveç Durrësit nën këtë skemë do të përfshihet edhe Vlora.
Bllokimi i naftës dhe mungesa e saj ishin bërë një faktor kryesor për paralizimin e peshkimit në Vlorë, por situata tashmë ka ndryshuar.
Aktualisht në të gjithë vendin operojnë 271 anije peshkimit, prej të cilave 72 janë në Vlorë./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani