Emiratet e Bashkuara Arabe do te mbështesin financimin e ndërtimit të autostradës se re mes Tiranës dhe Elbasanit.

Konfirmimi vjen nga sheiku Bin Zaid Al Hanyan, gjate takimit qe pati me homologun e vet, Ministrin tonë te Jashtëm, Lulzim Basha, pikërisht ne qytetin e Elbasanit.

Behet fjale për një kredi te bute, e cila do te shkoje për ndërtimin e autostradës qe shkurton ndjeshëm distancën kohore mes te dy qyteteve.

Bin Zaid Al Hanyan: “Dua të them që ky projekt është kuptimplotë. Kemi rënë dakord që ne do të marrim vlerësimin teknik të rrugës. Besojmë që kur të takohemi në Shtator të këtij viti do të biem dakord për finalizimin e këtij projekti. Jam i bindur dhe keni fjalën time se ky projekt është jetësor dhe që do të sillte mjaft lehtësira për vendet si ne të vijnë të investojnë në Shqipëri, pra të dy palët dalin të fituara nga ky projekt”.

Lulzim Basha: “Dëshiroj të theksoj një projekt, i cili ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe për Elbasanin dhe kjo është rruga Tiranë-Elbasan. E informova homologun tim mbi projektet që ekzistojnë për këtë rrugë dhe përkushtimet e qeverisë shqiptare për të nisur investimin në këtë rrugë, si dhe diskutuam mundësitë e bashkëpunimit ku gjeta mirëkuptimin e homologut tim për të mbështetur financimin e kësaj rruge me një kredi të butë nga pala emiratase. Qeveria shqiptare po e studion të gjithë projektet që janë bërë në lidhje me rrugën e re Tiranë-Elbasan. Versioni përfundimtar do të jetë një version i parametrave evropiane që do të bëjë të mundur jo vetëm lidhjen me një rrugë të shkurtër Tiranë-Elbasan, por dhe një rrugë që do të jetë e parametrave evropiane edhe përsa i përket gjerësisë, korsive dhe komoditetit me të cilët Elbasani dhe Tirana do të lidhen duke e shndërruar kështu Elbasanin në një pjesë të denjë të tripolarit Durrës-Tiranë-Elbasan.”

Për ndërtimin e një autostrade mes Tiranës dhe Elbasanit ekzistojnë disa projekte, si nga ana e kompanive private për marrjen me koncesion, ashtu edhe me vete financimet e shtetit.

Një prej projekteve parashikon një trase qe fillon nga Sauku, shpon përmes Kërrabën me një tunel prej mese 3.5 kilometrash dhe del ne Bradashesh.

Po ashtu një variant tjetër është ai që nis nga Kashari, kalon ne Vaqarr e del ne Papër te Elbasanit, ku parashikohet ndërtimi i disa tuneleve te shkurtër.

Ndërsa një variant tjetër kombinon dy projektet e para. Kjo autostrade do te shkurtoje distancën mes dy qyteteve, duke e çuar atë ne vetëm 15 minuta.

Ne takim homologu emiratas u shpreh se vendi i tij ka interes të veçantë edhe për fushat energjetike, bujqësore, portuale, apo turizmin, si ne zonën e Elbasanit ashtu dhe ne disa rajone te tjera te vendit. Në këtë kuadër ministri Basha theksoi potencialin e zonës ekonomike të Elbasanit për punësimin, prodhimin, dhe krijimin e një tregu të veçantë në rajon e më gjerë.  

Lulzim Basha: “Sot po hapim një kapitull të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, një kapitull që bazohet në bashkëpunimin midis dy vendeve tona, politik, ekonomik dhe të gjithanshëm dhe kur Shqipëria qëndron e hapur me gjithë potencialin e saj për të thithur investitorët nga Emiratet e Bashkuara, për të thithur investimet e Emirateve të Bashkuara që është dhe vazhdon të mbetet një lider në investimet e huaja anembanë globit. Ne jemi të hapur të bashkëpunojmë për çdo fushë tjetër”.

Ministri i Jashtëm i Emirateve te Bashkuara ka deklaruar se tashme Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe është një vend i sigurte për investimet.

Gjate takimit numri një i diplomacisë shqiptare ka falënderuar homologun e tij për mbështetjen e dhënë për vendin tone ne këto 20 vjet duke financuar vepra te rëndësishme si aeroporti i Kukësit.

Basha ka theksuar se Emiratet janë vendi i pare arab qe kane njohur pavarësinë e Kosovës.

Ministri Basha i është përgjigjur edhe interesit te gazetareve, lidhur me faktin qe takimi mes tij dhe homologut te Emirateve te Bashkuara u be ne Elbasan.

Gazetarja: “Pse tani bëhet pikërisht në Elbasan kur fushata ka hyrë nxehtësisht në pjesën e dytë dhe pse ky investim shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Elbasanit dhe jo vetëm bëhet pikërisht tani ky premtim?” Pse jo më përpara?”

Lulzim Basha: “Për dy arsye. Së pari, sepse kalendari diplomatik nuk pushon, por vazhdon pavarësisht se kemi fushata lokale apo qendrore. Vizita e homologut tim është e planifikuar për të gjithë rajonin. Ai vjen nga Podgorica dhe shkon nesër në Shkup dhe nuk kishte asnjë arsye dhe absolutisht asnjë forcë që mund të pengonte ministrat e dy vendeve miq të takoheshin dhe të diskutonin përparimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona. Në qendër të bisedimeve tona kanë qenë çështje të bashkëpunimit ekonomik dhe kredi të buta për infrastrukturën shqiptare duke patur parasysh që rruga Tiranë-Elbasan është një prioritet madhor i qeverisë, duke patur parasysh parkun industrial, zonën ekonomike të Elbasanit padyshim që nuk ka asgjë të keqe që ne këtë takim ta zhvillojmë sot pikërisht në Elbasan. Unë do të përgjigjesha me dy fjalë, sepse Elbasani ja vlen.”/tvklan.al