2 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, Presidenti francez Emmanuel Macron emëroi këtë të enjte Michel Barnier, ish-negociatorin e Bashkimit Evropian për Brexit, si kryeministër të tij, në një përpjekje për t’i dhënë fund krizës politike ku është përfshirë vendi.
Barnier do të jetë kryeministri më i vjetër në historinë moderne të Francës, duke marrë detyrën nga Gabriel Attal, i cili ishte më i riu.
73-vjeçari që konsiderohet si një politikan i matur dhe konservator, do të ketë një detyrë të vështirë për të marrë mbështetjen e 3 kampeve thellësisht të ndara në asamblenë kombëtare dhe që janë betuar për të mos bashkëpunuar me njëra-tjetrën.
Rezultatet nxorën në krye koalicionin e partive të majta, por Presidenti Macron nuk u dha të drejtën për të formuar qeverinë duke e konsideruar të pamundur që ata të kishin një kabinet të qëndrueshëm.
Menjëherë pas nominimit të Barnier, të majtët e quajtën vjedhje të mandatit të popullit ndërsa e djathta ekstreme e Le Pen tha se nuk do ta refuzonte menjëherë emrin e tij nëse ai plotësonte disa kushte.
Sfida e parë do të jetë buxheti për vitin e ardhshëm që nëse rrëzohet do të fusë vendin në një krizë edhe më të thellë.
Tv Klan