Mazhoranca nuk do të mbledhë në një sesion të jashtezakonshëm Parlamentin përsa i përket mandatit të deputetes Olta Xhaçka, por në Shtator, me nisjen e sesionit të ri kuvendor.
Kjo është përgjigja e kryeparlamentares Elisa Spiropali ndaj kërkesës së 28 deputetëve të opozitës të depozituar disa ditë më parë. Fillimisht kjo çështje shqyrtohet fillimisht nga Këshilli i Legislacionit, i thërritur të mbahet me 27 Gusht dhe më pas do të shqyrtohet e votohet në seancë.
Gjithashtu, në përgjigjen e saj, kryeparlamentarja thekson se kjo procedurë nuk bie ndesh me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Por kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi e cilësoi urdhrin e Spiropalit si antikushtetues, pasi kryeparlamentarja e ka detyrimin kushtetues që brenda 3 ditëve nga paraqitja e kërkesës së 1/5 së deputetëve, te thërrasë seancën e jashtëzakonshme për të zbatuar pa vonesë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, zvarritja 2-vjeçare e kesaj çështjeje tregon se mazhoranca po i del në mbrojtje socialistes Xhaçka.
Tv Klan