Thellohen ndarjet mes presidencës dhe parlamentit në Maqedoni. Mbrëmë në kuvend deputetët rivotuan disa ligje për të cilat presidenti Branko Cervenkovski kishte thënë se nuk do t’i dekretonte.
Rivotimi i ligjeve me një shpejtësi të madhe nga mazhoranca habiti opinionin publik, ndërsa për presidentin ky votim dhunon demokracinë.
Cervenkovski prezantoi të enjten një plan që parashikon mosdekretimin e ligjeve dhe anulimin e vendimit të gjykatës nëse ajo shpall fajtor nënkryetarin e partisë LSDM, Zoran Zaev.
Ky i fundit akuzohet për keqpërdorim të postit si kryetar bashkie në qytetin e Strumicës. Nga ana tjetër ky plan kishte për qëllim edhe kthimin e opozitës në parlament.
PDSH e Menduh Thaçit ka bërë të ditur se nëse ligji për gjuhën shqipe rikthehej për shqyrtim atëherë ajo parti do të kthehet në parlament.
Ligji për gjuhën shqipe nuk u rivotua, sepse ende nuk ka përfunduar koha ligjore gjatë së cilës presidenti duhet ta dekretojë atë.
Rivotimi i ligjeve në parlament u ndërmor edhe në kohën kur qeveria dhe mazhoranca e re janë përballë kritikave për shkak të mënyrës së shpejtë të miratimit të ligjeve dhe për moskrijimin e mundësisë për debate./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle