Tetë vite pas ndërpreu konfliktin e armatosur mes shqiptarëve dhe maqedonasve marrëveshja e Ohrit gjendet para sfidave të reja.
Të pakënaqur nga zvarritja e implementimit të kësaj marrëveshje, gjithnjë e më të shpeshtë janë kërkesat e shqiptarëve për një marrëveshje të re me maqedonasit.
Me kërkesë të këtillë është paraqitur edhe Partia Demokratike Shqiptare, njëra nga katër partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Ohrit.
Menduh Thaçi: “Mendoj se qëndrimi i politikës se marrëveshja e Ohrit nuk është më në funksionale është pasojë nuk është shkak. Ka 8 vjet që punojnë për ta realizuar këtë marrëveshje, po faktet flasin se jo që nuk realizohet, por kjo është edhe marrëveshje e cila është degjeneruar. Një marrëveshje që i kalon afati i përdorimit nuk mund të shkojë më ta çojë përpara shoqërinë dhe shtetin.”
Zëvendëskryeministri shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë Abdylhaqim Ademi, i cili udhëheq edhe sektorin për implementimin e Marrëveshje së Ohrit, as nuk pohon e as nuk mohon nevojën për një marrëveshje të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Abdylhaqim Ademi: “Para se të flasim për një marrëveshje të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve do duhet të shohim se sa është implementuar marrëveshja e Ohrit. Unë mendoj që tani më i ka kaluar koha zotit Thaçi dhe ai nuk ka as edhe legjitimitetin për të folur për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, por nuk ka as legjitimitetin për të folur për marrëveshje të reja eventuale.”
Analistët politik në Shkup thonë se para se të kërkohet shfuqizim i marrëveshjes së Ohrit, duhet të sqarohet deri në fund se çka do të përmbajë marrëveshja e re.
Sefer Tahiri: “PDSH me këtë duhet të sqarojë se vallë kërkon ridifenim të ri të marrëdhënieve shoqërore dhe politike në shtet dhe vallë dëshiron ndryshim të kushtetutës.”
Fillimisht marrëveshje të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve kërkoi kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, i cili pas 12 viteve abstenim, në mënyrë të suksesshme u kthye në skenën politike shqiptare në Maqedoni. Mirëpo Osmani thotë se me marrëveshjen e re nuk duhet të shpejtohet dhe duhet të pritet krijimi i momentit të volitshëm për të.
Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al