Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Shpërthimi i skandalit të trafikut të vizave në ambasadën Italiane ka ndodhur pikërisht në kohën kur marredhëniet mes dy vendeve janë më të ftohta se asnjëherë tjetër. Megjithëse dyshimet për një treg të zi vizash, Roma e ka pasur që në vjeshtën e vitit 1997, hetuesit e Frozinones vendosën ti shkojnë deri në fund kësaj çështje në fillim të vitit 2000. Paralelisht me këtë hetuesit e Barit po zbardhin një tjetër skandal atë të vjedhjes dhe shpërdorimit të ndihmave të misionit Ylberi të refugjateve kosovare.

Në varg të këtyre akuzave shkon edhe ajo e shefes së misionit të euro doganave në shqipëri Natalina Çea. Gjithshtu pakënaqësitë e Romës janë edhe për terminalin e Korridorit 8 dhe mbi të gjitha vendimi i parlamentit Italian për të rishikuar ndihmën për shqipërinë. Për të cilin faji ju la opozitës italiane.

Megjithë këto probleme që tashmë ekzistojnë mes dy vendeve zyrtaret e lartë shqiptar vazhdojnë të deklarojnë se marrëdhëniet janë të shkelqyera dhe se italia mbetet partner prioritar për shqipërinë. Por shifra tashmë të njohura të bëra publike nga kanale zyrtare në Tiranë tregojnë se muajt e fundit të vitit ’99 kanë njohur një ekspansion në marrëdhëniet tregtare me Greqinë, importet me të cilën u rritën 5 herë.

Sipas shtypit të djathtë italian i gjithë ky ndryshim në marrëdheniet mes dy vendeve i dedikohet dhe disa klaneve pro greke me shumë influencë në ekzekutivin shqiptar.

Edhe opozita shqiptare ka akuzuar qeverinë se po prish marrëdhëniet me Romën për hirë të flirteve me Athinën. Qeveria shqiptare ka disa kohë që gjendet e zënë ngushtë mes dy vendeve fqinje, anëtare të BE-së. Votat e të cilave do të jetë prioritare në milionat që pret të thithë shqipëria në kuadërin e projekteve për paktin e stabilitetit. Në vend të këtyre veprimeve të konsumuara diplomatike Tirana zyrtare duhet të lëviz kokretisht për të shkrirë akullin që ka ngrirë mes dy brigjeve të Adriatikut./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori