Ka përfunduar puna për qendrat e emigrantëve në Lezhë që do të jenë nën juridiksionin italian. Vendi i parë i pritjes në portin e Shëngjinit ishte gati prej kohësh, ndërsa ai në Gjadër iu dorëzua ditën e mërkurë autoriteteve italiane për testimin përfundimtar. Bëhet fjalë për një qendër për ndalimin e azilkërkuesve me 880 vende dhe një burg me 20 vende.
Pritet që këto struktura të nisin nga funksionimi brenda një jave për të mirëpritur azilkërkuesve të parë afrikanë të shpëtuar në det që do t’i nënshtrohen në territorin shqiptar procedurave të përshpejtuara kufitare.
Zona e Gjadrit, ishte një bazë shumë e degraduar e ish-Forcave Ajrore Shqiptare ndaj inxhinierët italianë u angazhuan në punimet restauruese dhe përgatitore që zgjatën muaj të tërë, me aktivizimin e rrjeteve të ujësjellës kanalizimeve dhe tokën që duhej të konsolidohej.
Tashmë aty ka mure rrethuese rreth ndërtesave, kamera përgjatë perimetrit dhe pajisje sigurie. Aty zbatohet juridiksioni italian dhe forcat e policisë italiane do të garantojnë rendin.
Në këto qendra do të ketë gjithashtu staf të UNHCR-së për të monitoruar respektimin e të drejtave të refugjatëve. Kërkesat për azil do të shqyrtohen brenda 4 javësh. Janë planifikuar lidhje me video konferencë me gjykatën e Romës për seancat e vlerësimit të paraburgimit.
Të gjithë sytë e Evropës janë përqendruar te projekti italian, i konsideruar nga shumë njerëz si një model i vlefshëm për t’u huazuar nga i gjithë Bashkimi Evropian në përpjekje për të zgjidhur problemin e emigrantëve të parregullt.
Klan News