Prokuroria e Shkodrës ia ka kaluar SPAK hetimet për masakrën ku mbetën të vrarë 4 persona. Organi i akuzës dyshon se atentati është kryer nga një grup i strukturuar kriminal prandaj ka shpallur moskompetencën. Prokurororia e Posaçme pritet të ngrejë një grup hetuesish ku do të përfshihen oficerë të byrosë kombëtare të hetimit.

Nga breshëria e plumbave humbën jetën Hamza Lici dhe Arlind Bushati, të cilët ndodheshin në mjetin Benz ndërsa dy viktimat e tjerë, ishin Bashkim dhe Flutura Basha. Çifti i bashkëshortëve humbi jetën pasi makina Mercedes Benz humbi kontrollin pas të shtënave duke përplasur burrë e grua që po lëviznin me motor.

Në automjetin tip Mercedes Benz dyshohet se ka qenë dhe një person tjetër së bashku me Hamza Licin dhe Arlind Bushatin, i cili besohet se mbeti i plagosur. Klan News ka mësuar se forcat e rendit kanë kryer kontrolle në disa klinika private, pasi rezulton se në spitalin e Shkodrës nuk është paraqitur asnjë person i plagosur me armë. Kontrollet janë kryer edhe në klinikat private të Fierit.

Deri më tani policia nuk ka një njoftim zyrtar rreth identitetit të personit që shfaqet pranë trupit të Hamza Licit në videon e regjistruar nga kalimtarët pas atentatit. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë i shumëkërkuari, Ibrahim Lici.

Është e paqartë nëse ai ka qenë në mjetin Benz, në një makinë tjetër apo shkoi në vendngjarje pasi mësoi lajmin për atentatin ndaj vëllait.

Klan News ka mësuar se mjeti Benz është ndjekur nga një makinë luksoze Range Rover. Ky mjet rezultoi i vjedhur në 17 Prill në Durrës.

Klan News