Mazhoranca shprehet e vendosur në ecurinë e mëtejshme të reformave, veçanërisht në disa prej institucioneve të rëndësishme të vendit. Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kryeministri Berisha tha, se ndërmarrja e një nismë të re në lidhje me Shërbimin Informativ Shtetëror synon një përcaktim më të qartë të detyrave të këtij institucioni dhe në mënyrë të veçantë mandatin për kreun e këtij dikasteri dhe numrin dy të tij.  

Gjatë mbledhjes kryeministri tha, se një tjetër risi që vjen në këtë ligj është edhe angazhimi për herë të parë i parlamentit në emërimin e drejtuesve të SHISH-it.

Sali Berisha: “Komisioni për Sigurinë duhet të ketë një fjalë për kandidaturat që propozohen për drejtimin e Shërbimit Informativ Kombëtar. Nuk mund të ketë vend të lirë në të cilin Shërbimi Informativ Kombëtar nuk ka një mandat të përcaktuar. Pa mandat janë vetëm në regjimet totalitare. Ne preferuam të përcaktojmë mandatin 5-vjeçar. Për drejtorin dhe zëvendësdrejtorin pra, kryeministri para se t’i propozojë presidentit emrat, merr mendimin, pëlqimin e Komisionit të Sigurisë dhe procedon më tej.”

Kreu i ekzekutivit u ndal në mënyrë të veçantë edhe tek projektligji kudër diskriminimit, praktika këto, tha numri një i qeverisë, që përcaktojnë një qëndrim të ri ndaj mazhorancës ndaj fenomeneve diskriminuese në shoqëri.

Pjesë e nismave ligjore me një rëndësi të veçantë është edhe ligji për Policinë Gjyqësore, që siç tha zoti Berisha, synon gjithashtu reformimin e mëtejshëm të këtij dikasteri./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro