Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Dështon vendimi i Kryesisë së PS për ndryshimet në qeveri. Mbledhja e grupit parlamentar socialist është shoqëruar me debate. Ish-kryeministri Meta i është drejtuar kryeministrit aktual Fatos Nano me fjalët t’i je mashtrues, po zvarrit krizën dhe se ke probleme me drejtësinë. Kjo nisur dhe nga shënimi në numrin e fundit në gazetën “Koha Jonë”, botim që do të zbardhet në ditët në vazhdim.

Ish-kryeministri Meta deklaroi pas mbledhjes së socialistëve, se qëndrimi i deputetëve që votuan kundër dekreteve herëve të kaluar në Kuvend, nuk ka ndryshuar, që do të thotë, që në fillim kryeministri Nano dhe më pas të rikompozohet qeveria.

Ilir Meta:- “Kemi kërkuar sot edhe nëpërmjet një deklarate të paraqitur nga shoku ynë Limoz Dizdari, dorëheqjen e zotit Nano, si shkaktarin kryesor të gjithë kësaj situate, i cili nuk mund ta kalojë atë, me akrobacia të tilla dhe as me kërcënime për hedhje në erë të kundërshtarëve të tij politikë dhe as me Kongresin e 12 Dhjetorit”.

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, grupi i deputetëve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Nano, janë shprehur se, kjo mbledhje e grupit parlamentar mbetet në vazhdim të përpjekjeve tashmë të njohura të diktuara nga vullneti i kryeministrit Fatos Nano, në funksion të filozofisë së tij politike, për zgjidhjen e krizës nëpërmjet imponimit dhe jo dialogut.

Grupi i deputetëve shprehet në deklaratën e përbashkët për shtyp, se e vetmja mënyrë e zgjidhjes së krizës në të gjitha dimensionet e saj është dorëheqja e kryeministrit Fatos Nano, si përgjegjës për krijimin e kësaj situate dhe për garantimin e një procesi të drejtë kongresual ku të realizohet mbi të gjitha ndarja e mandateve si e vetmja mundësi për t’i prerë rrugën riciklimit të krizave. Vetëm në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të ndalojmë rrudhjen e 12 Tetorit dhe të rikonfirmojmë socialistët si mazhorancë qeverisëse të vitit 2005 thuhet në deklaratë.

Gjatë paradites, Ilir Meta iu përgjigj batutës simbolike të kryeministrit Nano dy ditë më parë ndërsa telekomandonte shpërthimin e një shkëmbi për fillimin e punimeve të rrugës Durrës-Kukës-Morinë.

Ilir Meta:- “Duke shkuar në eliminimin dhe asgjësimin e kundërshtarëve politik, duke tentuar një gjë të tillë dhe të çdo mendimi të ndryshëm dhe të lirë në PS, por edhe në vend”.

I pyetur mbi qëndrimin e Ilir Metës, kryeministri Nano reagoi.

Fatos Nano:- “Zoti Meta është koherent në vendosmërinë e vetë, është nga Skrapari është socialist dhe është copë një. Unë nuk jam anëtar i grupit Meta, nuk jam nga Skrapari dhe grupi mbështeti vullnetin e kryesisë, për të operuar të gjithë së bashku me freskim qeverie”.

Ndryshe nga çfarë ishte lajmëruar, kryeministri Fatos Nano nuk ka sjellë emra të rinj për poste ministrore, nuk ka sqaruar se cilët aleatë do të marrin pjesë në rifreskimin e ekzekutivit. Madje nuk ka sqaruar as ministritë që do të ndryshojnë, duke i kushtuar më shumë vëmendje higjienës së qeverisë”.

Fatos Nano:- Moj ti çupë freskimi është freskim, ti si freskohesh, pjesërisht besoj apo jo edhe ne do freskohemi pjesërisht”.

Kryetari i grupit parlamentar Gramoz Ruçi, ashtu si dhe para votimeve në Kuvend për dekretet e presidentit, ka deklaruar se socialistët miratuan unanimisht qëndrimin për ndryshimet në qeveri./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj