Pas më shumë se 1 orësh diskutime, Këshilli i Mandateve vendosi me shumicë votash nga PS që raporti t’i dërgohet seancës plenare. Deri të mërkurën parashikohet që të realizohet një raport dhe më pas t’i propozohet seancës plenare që të votojë nëse do ta dërgojë ose jo çështjen për mandatin e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.

Mbledhja është mbyllur me debate pas pretendimeve të PD-së se është ende i paqartë qëndrimi i PS sepse sipas tyre po tenton të bëhet mburojë për deputeten Xhaçka. Do të jetë seanca e ditës së enjte që do të vendosë nëse kjo çështje do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Nga informacionet që gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka ka mundur të sigurojë nga burime jo zyrtare, mazhoranca pritet që të votojë kundër dërgimit të çështjes për mandatin e deputetet Olta Xhaçka për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese pasi sipas tyre nuk ka tagër Kushtetutesja të vendosë se kush është vota e ligjvënësve.


Pjesë nga diskutimi në Këshillin e Mandateve:

Klotilda Bushka: Ne sot jemi para rastit ku kemi 2 raste të vendimit të GJK, njëri ka të bëjë me pushimin e çështjes. Ka qenë kërkesë e 1/5 të deputetëve, kërkesë e cila edhe pse është shqyrtuar, është vendosur pushimi i asaj kërkese. Ky këshill e ka bërë një vlerësim të tillë, do të duhet të përditësojmë këto vlerësime, të bëjmë raportet përkatëse dhe ta dërgojmë në seancë plenare për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Ervin Salianji: Kur flasim për kushtetutë që GJK e ka hedhur në kosh duke shfuqizuar vendimin e këtij këshilli dhe që GJK vlerëson se në rastin konkret kuvendi duhet ta kishte pranuar mocionin e kërkuesit, e tepërt. Ju e keni mbajtur peng kur ne ishim këtu për muaj me radhë shqyrtimin e kërkesës vetëm për të bërë atë që keni zanat të bëni. Thelbi i kësaj është grusht shteti brenda institucioneve. Kryetarja e GJK ju thotë që është e pamendueshme që Kuvendi të gjykojë vendimet e GJK. Po propagandoni që ju jeni njerëzit që zbatoni vendimet e gjykatave, ju jeni partia që po bëni bllokadë duke përdorur drejtësinë për të treguar që në këtë vend nuk ka barazi para ligjit.

Bledi Çuçi: Kemi disa gjyqtarë që thonë që nuk është detyruese kërkesa e 1/10 të deputetëve për të çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Ne jemi në një vakum për të marrë një vendim për këtë çështje. Kuvendi nuk ka një vendimmarrje për kërkesën e 1/10 të deputetëve për këtë çështje. Duke qenë se ne sot kemi një vakum, ne duhet të ja çojmë seancës plenare për t’u shprehur në lidhje me kërkesën që ka bërë 1/10 e deputetëve.

Gazment Bardhi: Ju keni shkelur kushtetutën. Kuvendi është organ sovran, por kuvendi nuk është mbi kushtetutën dhe në vendimmarrjet e tij kontrollohet me këtë dokument nga GJK. Kemi vendim të zbatojmë vendimin e Gjykatën Kushtetuese që sugjeronte që ky kuvend. Nuk kemi kohë të shkruajmë prapë raport. Këshilli miraton vendimin e GJK. Ta votojmë të gjithë me konsensus çuarjen e kësaj çështje ne GJK dhe ta shqyrtojë. Kur ka grabitur 11 mijë metër pronë publike në bregdet. Pse mo më e mençuar se ju të pestë është Olta Xhaçka? Nuk është standard ky.

Ermonela Felaj: Diskutimet do të duhej të ishin teknike. Nuk kemi shkelur asnjë afat dhe diskutimin më të gjatë ia kemi dedikuar vendimin numër 1 të GJK. Kemi rënë dakord që të thërrisnim një ekspert. GJK nuk mund të krijojë norma të reja sepse normat i bën Kuvendi i Shqipërisë. I gjithë diskutimi që po bëjmë sot është nëse është gati Kuvendi që të ja japë kompetencën e vet 1/10-ës apo të vendosë vetë për to. GJK e vë në lëvizje 1/5 e deputetëve. Shumica që Kushtetuta ka njohur për të riparë Kushtetutën është 1/5, kjo është shumica që detyron kuvendi të shkojë në GJK. 1/10 nuk e detyron të shkojë në Kushtetuese. Krahas propozimit të Çuçit, ftoj që ne raportin të ja çojmë Gjykatës Kushtetuese. Do ja paraqesim Kuvendit normalisht. Nuk di pse mblidhet Kuvendi nëse nuk do të kishte vendimmarrje. Ne GJK na ka lënë pa vendimmarrje. Raportin tonë do ja paraqesim Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese.

Kujtojmë se ka qenë opozita e cila ka kërkuar heqjen e mandatit të deputetes ish-ministre Olta Xhaçka për konflikt interesi, për arsye se bashkëshorti i saj përfitoi statusin e investitorit strategjik dhe bleu tokë shtetërore në Dhërmi për interesa private.

Disa ditë më parë, pikërisht për këtë çështje, SPAK arrestoi ish-kreun e Bashkisë Himarë Jorgo Goro, duke thënë se toka që kishte blerë bashkëshorti i Xhaçkës ishte tjetërsuar nga shtet në privat.

Socialistët në Parlament e rrëzuan para disa muajsh kërkesën e opozitës për mandatin e Xhaçkës. Por demokratët e dërguan çështjen në Kushtetuese dhe kjo e fundit vendosi që ta rikthejë në Parlament dhe u ka kërkuar ligjvënësve që ta shqyrtojnë./tvklan.al